( Duke menduar për krizen e vazhdueshme institucionale e shtetërore e cila ka prekë thellë edhe moralin politik, veq po inicoj një kahje të mendimit) Spektri politik nuk ndërtohet me zhurmë studiosh televizive, as me retorikë kapadaish e protagonizëm mediokër. Nëse e djathta në vendin tonë synon të jetë faktor serioz, ajo duhet të hyjë nga dera e madhe e organizimit politik – jo nga dritaret e improvizimit mediatik. Një e djathtë e mirëfilltë nuk është etiketë. Është filozofi politike.
Është koncept për rolin e shtetit, për lirinë ekonomike, për përgjegjësinë individuale, për rendin institucional dhe për vlerat që strukturojnë shoqërinë. Sot ambienti politik është mjegulluar nga figura e formacione që nuk kanë lidhje organike as me të majtën e as me të djathtën. Janë hibride ideologjike, që kanë marrë etiketime sipas interesit të çastit, jo sipas bindjes së qëndrueshme, pavarrësisht si e quajnë apo çfar bindje kanë plr vehten e tyre.
Kjo lëvizje e vazhdueshme e identiteteve e ka bërë debatin politik të paqartë dhe shpeshherë të pandershëm. Një sërë problemesh në funksionimin e shtetit, të demokracisë dhe të shtyllave të tjera institucionale tek ne janë të pranishme pikërisht për shkak të mungesës së këtij profilimi të qartë ideologjik. Krizat e njëpasnjëshme në funksionimin e demokracisë dhe të institucioneve të shtetit, burimin e kanë në këtë paqartësi themelore: mungesën e boshtit ideor mbi të cilin ndërtohet përgjegjësia politike. Në anën tjetër, e majta duket se është në proces të konsolidimit të saj. Dhe pikërisht këtu qëndron nevoja për ekuilibër.
Demokracia funksionon mbi tensionin konstruktiv të alternativave të qarta. Kur njëra anë konsolidohet dhe tjetra mbetet e fragmentuar, krijohet boshllëk përfaqësimi. Një e djathtë e organizuar seriozisht do të duhej të ofronte: • një vizion të qartë ekonomik, të bazuar në treg të lirë dhe përgjegjësi fiskale; • një koncept të matur për rolin e shtetit, jo hipertrofik, por as anarkik; • një platformë për mbrojtjen e pronës private dhe iniciativës individuale; • një artikulim të qartë të vlerave kulturore e institucionale. Pa këtë strukturim, çdo përpjekje për të zëvendësuar mungesën e organizimit me protagonizëm personal do të mbetet sipërfaqësore Sa për formacionet “as mish as peshk”, nëse arrijnë të gjejnë hapësirë, ato mund të jenë të dobishme si ai derhami në peshoren e shitësit: i vogël në dukje, por i domosdoshëm për matjen e saktë.
Edhe pluralizmi i fragmentuar, nëse është i sinqertë, kontribuon në balancën demokratike. Por themeli mbetet i njëjtë: e djathta nuk ndërtohet me spektakël, por me strukturë. Nuk legjitimohet me zë të lartë, por me program të qartë. Nuk hyn nga dritarja e rastësisë, por nga dera e organizimit si nevojë e domosdoshme shoqërore. Dhe nëse demokracia ka nevojë për balancë, atëherë koha për këtë organizim ka ardhë!