I. Edukimi si frikë: trashëgimia e një paradigme ndëshkuese
Nga rrëfimet e nënës sime për mësimet tek hoxha në kohët e hershme, kujtesa më kthen në një realitet të ashpër, ku edukimi shpesh identifikohej me ndëshkimin. Përveç shkopit, thoshte nëna ime, ekzistonte edhe “fallaku”, një mjet ku shtrëngoheshin këmbët e nxënësit për të mos lëvizur, dhe dënimi vazhdonte deri në përgjakje. Frika ishte metodë, dhuna ishte mjet, ndërsa heshtja konsiderohej disiplinë.
Në këtë model, nxënësi nuk mësonte të mendonte, por të frikohej dhe të bindej ndaj autoritetit institucional të mësimdhënësit. Nuk zhvillonte vetëbesim, por instinktin e mbijetesës. Autoriteti nuk buronte nga dija, por nga institucioni (shkolla) dhe frika nga ndëshkimi.
Megjithatë, kjo fazë historike duhet të kuptohet si pjesë e një mentaliteti epoke – jo si model për t’u rikthyer.
II. Nga autoriteti i imponuar tek mësimdhënësi reformator
Letërsia shqipe e ka trajtuar këtë përballje paradigmesh në mënyrë simbolike. Në romanin Afërdita në fshat të Sterjo Spasses, përballë mësuesit autoritar që përfaqëson disiplinën e ngurtë dhe shtetin ideologjik, qëndron figura e Afërditës – mësuesja reformuese, humane, kreative dhe emancipuese.
Edhe pse brenda kornizave të realizmit socialist, romani dëshmon një të vërtetë thelbësore: arsimi mund të jetë forcë transformuese, edhe në kushte diktature. Afërdita përfaqëson modelin e mësuesit që fiton respekt jo përmes frikës, por përmes përkushtimit dhe dijes.
Ky është dallimi midis autoritetit formal dhe autoritetit moral: i pari imponohet, kurse i dyti fitohet.
III. Nostalgjia për “kohët e arta” dhe iluzioni i rikthimit
Në vitet e mia të para si profesor i sociologjisë në Gjimnazin “Skënderbeu” në Preshevë, jam përballur shpesh me nostalgjikët e një epoke kur – sipas tyre – mësuesi ishte “zot”. Ata e quanin atë periudhë “kohë e artë”, sepse nxënësi ishte i heshtur dhe i dëgjueshëm dhe profesori nderohej pa diskutim.
Por respekti i imponuar nuk është respekt i vërtetë. Ai është produkt frike. Dhe frika nuk prodhon dije cilësore, por bindje mekanike.
Shoqëria moderne nuk mund të ndërtohet mbi mitin e autoritetit absolut. Koha e “qytekut të dalë prej xhenetit” nuk do të kthehet – as nuk duhet të kthehet. Në një botë digjitale dhe globale, autoriteti buron nga kompetenca, profesionalizmi dhe integriteti, e jo nga frika.
IV. Sfida e analfabetizmit funksional dhe alarmi i PISA-s
Rezultatet e dobëta në testimet ndërkombëtare si Programme for International Student Assessment (PISA) kanë nxjerrë në pah një realitet të pakëndshëm: analfabetizmin tonë funksional.
Analfabetizmi funksional nuk është mungesë diturie, por është mungesë kuptimi dhe aftësie të zbatimit kreativ të dijes. Nxënësi mund të lexojë tekstin, por nuk e analizon dhe zbaton; mund të riprodhojë formulën, por nuk zgjidh problemin.
Renditja në fund të tabelës ndërkombëtare nuk është thjesht statistikë – është tregues i një krize strukturore të shoqërisë tonë. Ajo na sfidon të rishikojmë metodologjitë, programet, përgatitjen e mësimdhënësve dhe kulturën e përgjithshme të mësimdhënies dhe të mësimnxënies.
Modernizimi dhe reformimi i arsimit kërkon:
• kalimin nga memorizimi dhe mësimi mekanik, në mendim kritik;
• nga ligjërimi monologjik në dialog interaktiv;
• nga izolimi arsimor në integrim ndërkombëtar;
• nga diploma formale në kompetencë reale të aftësisë profesionale dhe dijes.
Nuk mjafton vetëm të konstatojmë dobësitë; por duhet të ndërtojmë strategji afatgjata për përmirësim të qëndrueshëm.
V. Arsimi si projekt kombëtar i zhvillimit dhe demokracisë
Arsimi modern është themeli i demokracisë dhe zhvillimit ekonomik. Një shoqëri me analfabetë funksionalë është e manipulueshme; një shoqëri me qytetarë kritikë është e qëndrueshme dhe konkurruese.
Reforma arsimore duhet të jetë projekt kombëtar, i depolitizuar dhe afatgjatë. Ajo kërkon investim në trajnim profesional, digjitalizim, bashkëpunim ndërkombëtar dhe kulturë të performancës.
Nuk kemi nevojë për mësues “zot”, por për mentorë profesionalë. Nuk kemi nevojë për nxënës të heshtur, por për të rinj që pyesin, analizojnë dhe krijojnë.
Nëse duam të ecim në hap me botën e përparuar dhe demokratike, duhet të reformojmë jo vetëm programet, por edhe mentalitetin tonë. Duhet të heqim dorë nga bindjet e gabuara të së kaluarës dhe të ndërtojmë një kulturë ku:
• respekti fitohet me dije;
• suksesi matet me rezultate reale;
• barazia gjinore dhe sociale është standard;
• mendimi kritik është virtyt qytetar.
E ardhmja jonë nuk varet nga nostalgjia, por nga vizioni. Dhe vizioni fillon në klasë. Aty formohet qytetari i së nesërmes. Aty vendoset nëse do të mbetemi në periferi apo do të bëhemi pjesë aktive e botës së zhvilluar.
Arsimi nuk është thjesht sistem institucional – realisht ai është projekti ynë civilizues.
Preshevë, 25 shkurt 2926