Të nderuara parti politike
Kosova nuk është pronë e askujt prej jush. Nuk është mjet për kalkulime taktike dhe as arenë për inate personale. Është Republikë, dhe Republika u përket qytetarëve të saj.
Brenda një periudhe relativisht të shkurtër, ky vend ka kaluar katër palë zgjedhje. Katër herë fushata. Katër herë premtime për stabilitet. Katër herë shpenzime nga taksat tona. Dhe sot, sërish përballemi me kërcënimin e një krize të re politike.
Kjo nuk është pjekuri demokratike. Kjo është papërgjegjësi.
Qytetarët nuk kanë votuar për bllokada. Nuk kanë votuar për arrogancë. Nuk kanë votuar që, sa herë nuk arrini marrëveshje mes vete, ta dërgoni vendin në zgjedhje si formë presioni.
Sot, Kosova përfaqësohet jashtë me dinjitet nga Dr Vjosa Osmani. Ajo e ka ngritur imazhin e shtetit në arenën ndërkombëtare. Por brenda vendit, sjellja juaj politike po e zbeh atë dinjitet.
Zgjedhjet nuk janë buton shpëtimi për dështimet tuaja. Ato janë akt serioz demokratik. Përdorimi i tyre si mjet presioni është fyerje për votën e qytetarit.
Ndërkohë, qytetarët përballen me çmime të larta, paga të pamjaftueshme dhe pasiguri ekonomike. Rinia po largohet. Familjet po mbijetojnë me vështirësi, dhe ju flisni për zgjedhje të reja?
Nëse vendi shtyhet edhe një herë drejt zgjedhjeve për arsye egoje dhe jo për interes shtetëror, duhet ta dini qartë, se durimi qytetar nuk është i pafund. Bojkoti është mjet demokratik. Padëgjueshmëria qytetare është reagim kur institucionet nuk dëgjojnë. Askush nuk e dëshiron përshkallëzimin, por përgjegjësia për të do të jetë e juaja.
Ju paguheni për të zgjidhur kriza, jo për t’i prodhuar ato.
Kosova ka nevojë për stabilitet, për bashkëpunim, dhe pjekuri. Për vendime që e forcojnë shtetin, jo që e fusin në cikël të pafund krizash.
Ky është një mesazh i qartë, jo kërcënim, është lodhje e grumbulluar.
Është zhgënjim i thellë, dhe është paralajmërim demokratik.
Durimi ka kufi.