Kori kobndjellës i hienave anti-Kosovë

Opinione

Kori kobndjellës i hienave anti-Kosovë

Nga: Adriatik Riza Dosti Më: 8 mars 2026 Në ora: 21:46
Adriatik Riza Dosti

Vetëm një i dalë mendsh ose i gjymtuar mendërisht, armik i vendit dhe i popullit të tij, mund ta bëjë një deklaratë të tillë si ajo që bëre ti dy ditë më parë, znj. ish-presidente Vjosa Osmani: “Kurrë më parë në jetën time nuk kam qenë kaq krenare për këtë vendim që mora.” (???)

I lumtur sa s’ka pas vendimit tënd u shpreh publikisht edhe filoserbi dhe antishqiptari i tërbuar, Grenell, znj. ish-presidente.

Një deklaratë të frikshme dhe tepër të rrezikshme bëri dje në Moskë, lidhur me ndarjen dhe copëtimin e territoreve të Kosovës, fill pas vendimit tënd edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Lavrovi, znj. ish-presidente.

I ngazëllyer u shfaq atje në Beograd para gazetarëve të tij, fill pas vendimit tënd, edhe Vuçiçi, znj. ish-presidente.

Edhe Thaçit atje në Hagë këto ditë burgu po i duken si në shtëpi pushimi, fill pas vendimit tënd, znj. ish-presidente.

I ke parë do video të R. Haradinajt në rrjetet sociale, ku nxjerr në pazar ca histori të ndyra me Ramën në kurriz të Kosovës dhe popullit të saj, znj. ish-presidente? E pra, pse i nxori dhe pse i bëri publike pikërisht tani, fill pas vendimit tënd për të cilin ti thua se je aq krenare, znj. ish-presidente?

E dëgjove se ç’tha Vuçiçi për shqiptarin e Kosovës, B. Hamza, lidhur me kandidaturat e cilitdo tjetër për president të Kosovës (përveç të PDK-së së tij), fill pas vendimit tënd, znj. ish-presidente?

Përktheje dhe kuptoje mirë nga shqipja në shqip atë që thotë për ty Abdixhiku, znj. ish-presidente, dhe atëherë do të mësosh se sa poshtë ke rënë.

Për inat të sat-vjehrre vajte e fjete me mullixhiun, o znj. ish-presidente. Ishalla ke “fjetur rehat” e s’ke parë ëndrra të këqija… por mos harro se kush fle me qentë (ndjesë katërputrakëve dhe adhuruesve të tyre) gdhihet me pleshta, thotë populli ynë.

Uthulla e fortë prish enën e vet dhe… qeni i keq ta sjell ujkun në vathë – themi ne shqiptarët, znj. ish-presidente.

E tash, që ti të jesh fare e kënaqur, e lumtur dhe krenare “për gjithë ç’ke bërë” në të mirë të Kosovës, sipas mendjes tënde sigurisht, rri në pritje të dëgjosh sot a nesër edhe deklaratën e atij që hedh gurin e fsheh dorën… e atij që të vret natën e të qan ditën… të atij që dorën ta hedh në qafë e gishtin ta fut në by… (me ndjesë për fjalorin).

Besoj se e kupton fare qartë e mirë se për kë e kam fjalën, apo jo: për skenaristin dhe regjisorin e kësaj shëmtie, poshtërsie e tradhtie anti-shqiptare – për Edi Ramën, viktimë e të cilit re edhe ti dhe ndaj edhe shkove, siç themi ne në Tiranë, si kovë pusi.

Ju pafsha hajrin të gjithëve, znj. ish-presidente – edhe mendjes tënde diabolike e inatçore, edhe karakterit tënd egoist e karrierist. Po Kosova dhe kosovarët që të deshën, të nderuan, të vlerësuan dhe të respektuan, ç’faj patën në këtë mes? Këtë nuk e kuptoj dot.

E pikërisht këtë ma thua dot mua? Ua thua dot krejt shqiptarëve? Jo për gjë, por që të ndihemi të lumtur e krenarë të paktën edhe ne që… pas atij vendimit tënd… OK.

A.R.D

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat