Bashkëpunimi ndërmjet Kriminalistit dhe Prokurorit të Shtetit në luftën kundër Fajdeve

Opinione

Bashkëpunimi ndërmjet Kriminalistit dhe Prokurorit të Shtetit në luftën kundër Fajdeve

Nga: Besnik Xhaka Më: 11 mars 2026 Në ora: 19:45
Besnik Xhaka

Dukuria e fajdeve në Kosova paraqet një nga format më të ndërlikuara dhe më të rrezikshme të kriminalitetit ekonomik, një fenomen që shpesh zhvillohet në heshtje, në prapaskena të jetës sociale dhe ekonomike, duke shfrytëzuar vështirësitë financiare të qytetarëve dhe duke i shndërruar ato në mekanizma presioni, shantazhi dhe varësie.

Fajdeja është krim që nuk lë gjithmonë gjurmë të dukshme, por lë pasoja të thella sociale dhe ekonomike.

Përballë një realiteti të tillë kriminal, reagimi institucional nuk mund të mbështetet vetëm në veprime të dukshme apo aksione të momentit, por kërkon një arkitekturë të mirëfilltë profesionale hetimore, ku rolin qendror e zë bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet prokurorit të shtetit dhe kriminalistit si ekspert i zbulimit dhe dokumentimit të krimit.

Në strukturën e sistemit të drejtësisë penale në Kosovë, kriminalisti përfaqëson një figurë kyçe profesionale, një specialist i fushës së kriminalistikës që operon në vijën e parë të zbulimit të së vërtetës.

Ai është profesionisti që përmes metodave shkencore dhe përmes përvojës së tij praktike arrin të depërtojë në mekanizmat e fshehtë të veprave penale, të identifikojë gjurmët, të analizojë rrethanat dhe të zbërthejë mënyrën e operimit të personave apo grupeve kriminale.

Në këtë kuptim, kriminalisti nuk është thjesht një zbatues teknik i procedurave, por një mendje analitike dhe strategjike që ndihmon në ndërtimin e gjithë strukturës së hetimit penal.

Bashkëpunimi i kriminalistit me prokurorin e shtetit është një element themelor në çdo hetim serioz penal.

Prokurori është autoriteti që udhëheq hetimin nga aspekti juridik dhe procedural, ndërsa kriminalisti është ai që në praktikë realizon veprimet hetimore, analizon provat dhe ndihmon në ndërtimin e një panorame të qartë të ngjarjes kriminale.

Ky raport bashkëpunimi krijon një sinergji profesionale ku njohuritë juridike të prokurorit dhe ekspertiza kriminalistike e hetuesit bashkohen për të arritur një qëllim të vetëm: zbulimin e së vërtetës dhe ndërtimin e një baze të pakontestueshme provash.

Në praktikën e hetimeve penale, shumë prej rasteve të suksesshme nuk janë rezultat i veprimeve të shpejta apo spektakolare, por i një pune të gjatë, të kujdesshme dhe të strukturuar që zhvillohet larg vëmendjes publike.

Pikërisht këtu del në pah pesha dhe rëndësia e kriminalistit.

Ai është profesionisti që mbledh informacionet fillestare, që analizon detajet, që lidh faktet dhe që përmes metodave të taktikës kriminalistike arrin të zbulojë lidhjet mes personave, veprimeve dhe provave materiale.

Çdo gjurmë, çdo dokument, çdo komunikim apo rrethanë që në pamje të parë mund të duket e parëndësishme, në duart e një kriminalisti profesional shndërrohet në një element kyç të dosjes hetimore.

Në këtë kontekst, Kriminalisti është një nga shtyllat kryesore mbi të cilat mbështetet puna e Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe e institucioneve të tjera të drejtësisë në vend.

Ai ndihmon në orientimin e hetimit drejt burimeve të rëndësishme të provave, propozon veprime hetimore që mund të zbulojnë elemente të reja të veprës penale dhe siguron që çdo veprim i ndërmarrë të jetë në përputhje me standardet ligjore dhe profesionale.

Përmes analizës së provave materiale, dëshmive, komunikimeve dhe rrethanave të ndryshme të ngjarjes, kriminalisti kontribuon drejtpërdrejt në ndërtimin e një dosjeje hetimore që është e fortë, e qëndrueshme dhe e aftë të përballojë çdo sfidë në procesin gjyqësor.

Rëndësia e këtij roli bëhet edhe më e dukshme në rastet komplekse të kriminalitetit ekonomik dhe të krimit të organizuar, ku veprat penale janë të strukturuara në mënyrë të tillë që të fshehin gjurmët dhe përgjegjësitë.

Në këto rrethana, kriminalisti është ai që përmes analizës së detajuar dhe përmes përdorimit të metodave moderne hetimore arrin të zbulojë mekanizmat e fshehtë të krimit dhe të dokumentojë çdo element që mund të provojë fajësinë e autorëve. Kjo punë kërkon jo vetëm profesionalizëm dhe përvojë, por edhe integritet, durim dhe një ndjenjë të fortë përgjegjësie ndaj ligjit dhe drejtësisë.

Prandaj, në një sistem funksional të drejtësisë penale, kriminalisti duhet të shihet si një partner strategjik i prokurorit të shtetit dhe si një faktor vendimtar në suksesin e hetimeve penale. Bashkëpunimi i tyre nuk është thjesht një marrëdhënie formale institucionale, por një bashkëveprim profesional që ndërton themelin e çdo rasti penal të suksesshëm.

Kur ky bashkëpunim zhvillohet mbi baza të forta profesionale dhe etike, atëherë hetimet bëhen më të sakta, provat më të besueshme dhe drejtësia më efektive.

Në fund të fundit, lufta kundër kriminalitetit (fajdeve) në Kosovë nuk fitohet me deklarata apo me aksione që zgjasin vetëm disa orë.

Ajo fitohet me profesionalizëm, me punë të heshtur, me analizë të thellë dhe me ndërtimin e provave që nuk lënë hapësirë për dyshim.

Në këtë proces, kriminalisti mbetet një nga figurat më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë, një profesionist që në bashkëpunim të ngushtë me prokurorin e shtetit kontribon në mënyrë vendimtare në zbulimin e së vërtetës dhe në vendosjen e drejtësisë para ligjit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat