Vazhdimisht, flitet e shkruhet me të drejtë dhe plot arsye, me fakte dhe argumente se ky popull, rreth 65-70% me origjinë dhe jetesë në fshat, mbetur këta 12 vjet pa rreth 1 milionë banorë të moshave 18-45 vjeç, është masivisht "i majtë" apo popullorçe, me "trutë e Enverit dhe të Edi Ramës"! Me synimin për të "fituar" edhe më 2029, me përqindje sa më të lartë se më 11 maj 2025, Edi Rama e ka rritur numrin e te punësuarve në administratë e si patronazhistë, nga rreth 90 mijë që ishin më 2013 në 250 mijë, në fillim janar 2025! Me shumë gjasa , ka në mendje e në plan ta shtojë edhe më tepër deri më 2029.
Nja 40% e kësaj ushtrie zyrtarësh apo nëpunësish, sidomos ata patronazhistë, "janë të punësuar vetëm nëpër bordero", me rroga nga 40-50 mijë lekë të reja vetëm si "ushtri" në betejat elektorale e për “fitoret” e tyre me çdo rrugë e faturë, pa e menduar fare se BE bën dhe kërkon zgjedhje të lira e të ndershme...Nënkuptohet se presioni shumëformësh dhe dëshira për të ruajtur vendin e punës, pagat dhe përfitimet e tjera të majme në një zyrë administrate, i shtyn këta kontigjente të "duan" dhe votojnë symbyllur Rama- parti- qeverisjen e të mos mendojnë për rotacion politik dhe qeverisje shumë më të mirë për shumicën e popullit, shumë më shqiptare dhe ndjeshëm më njerëzore dhe sociale!?
Nga shumëkush nëpër media e rrjete sociale, shpesh herë është thënë e shkruar se shqiptarët, qysh nga 29 nëntori 1944, përveç enverizmit vuajnë edhe nga ”SINDROMI STOKHOLMIT”!? Domethënë, janë dashuruar marrëzisht me “persekutorët” dhe “hajdutët” e tyre!? Me humor: ndoshta e vetmja rrugë dhe mundësi, për të ç' enverizuar dhe ç'edramizuar "popullin e majtë", mund të jetë heqja e truve të Enver Hoxhës e të Edi Ramës nga kokat e shumicës së tyre dhe zëvendësimi me tru qytetarësh francezë, zviceranë, gjermanë, austriakë, belgë, holandezë, danezë nordikë, britanikë, amerikanë...!
Gjallesa e enverizmit shprehet e kuptohet edhe nga bisedat me njerëz të tri niveleve të arsimit, kulturimit dhe emancipimit...Është më masive në fshat e tek ushtria e pensionistëve, sidomos e ushtarakëve të ish ministrive të mbrojtjes e të brendshme dhe në dikastere të tjerë të diktaturës; kryesisht të veteranëve...Nga gojët e plot prej tyre dëgjon “argumente” qesharake e përralleske.
Sipas disave, Enveri bëri shumë në fushat e arsimit dhe kulturës; zhvillimit industrial e minerar; të mbrojtjes së vendit... Po këta bëjnë sikur nuk e kanë kuptuar qysh sa qe gjallë Enveri i tyre, se të gjitha këto punë apo vepra nuk i bëri vetëm ai me mendjen, duart apo lekët e rrogës së tij. Se në të vërtetë, të gjitha i bëri puna, djersa, leku i gjakut i popullit. Bëjnë sikur nuk kanë kuptuar edhe se vërtetë në kohën e Enverit u ndërtuan plot fabrika, uzina, kombinate, miniera..., por pa rezultate dhe përmirësime të ndjeshme në jetën e shumicës së popullit. Gjatë 47 viteve të gjase socializmit vendi dhe populli ishte i izoluar plotësisht nga bota e Perëndimit! “Shqipëria socialiste” ishte plot me burgje dhe kampe përqendrimi mbush me qytetarë, dënuar për një fjalë shpirti dhe goje apo krejt të sajuar, me ligësi gjenetike partiake, nga spiunët e shumtë e kudondodhur në shërbim të regjimit enverian...!?
Gjëmat më të shumta kanë qenë në ekonomi dhe jetesë, duke e bërë dhe lënë Shqipërinë, ndër vendet më të pasur me minerale e me 270 ditë me diell, me dy dete, shumë liqene e lumenj me popullin më të varfër, që mbijetonte si afrikanët, me tollona e rradhë, qysh nga mesnata e me gramatura minimale. Edhe me ndërprerje të dritave e me furnizim me ujë me pak orë...Listës së gjëmave të tij i shtohet izolimi thuajse tërësor i vendit dhe popullit, edhe nga shqiptarët ne Kosove, Maqedoni, Malin e Zi Turqi, Greqi...! Këtyre duhet tu shtohen eleminimi fizik i elitave intelektuale në ekonomi, ushtri, kulturë, shkenca...
Plot enveristë kapen fort tek fakti se në “epokën e Enverit” u investua dhe u bë shumë kundër analfabetizmit masiv dhe për arsimimin e brezave të ri në tre nivelet e “piramidës arsimore”, nga shkolla fillore deri në universitet. Ashtu si për gjithçka që u bë në vitet 1945-1990, edhe për punën dhe arritjet në fushën e arsimit, meritat ekskluzive apo vendimtare ia faturojnë apo vënë mbi supe Enver Hoxhës individualisht... Enveristët e moçëm e të rinj “harrojnë” edhe se koha dhe zhvillimi i vendit, edhe pse në nivele të shteteve më të varfër të Afrikës, i kërkonin Enverit, partisë dhe qeverive të tij njerëz, kuadro, rini të arsimuar...Përndryshe nuk do të kishin mundësi të qëndronin gjatë në pushtet. “Harrojnë” edhe faktin se shtimin e investimeve, të vëmendjes e të përpjekjeve në fushat e arsimimit, shkencës, zhvillimit të kulturës, arteve...ia sugjeruan dhe kërkuan edhe “vëllezërit” jugosllavë, sovjetikë e nga vendet e tjera ish socialiste..., duke u dhuruar edhe strategji, projekte, programe, përvojë, tekste...Ata sollën për këtë qëllim edhe pedagogë dhe këshilltarë...Qeverisja e re komuniste, kishte në përbërjen e saj edhe pushtetarë të lartë edhe personalitete kulturore si Sejfullla Maleshova, Omer Nishani, Koço Tashko, Kahreman Ylli, Medar Shtylla..Gjergj Kokoshi, deputet në Kuvendin Popullor dhe. Ministër i Arsimit në qeverinë e Enver Hoxhës, më 1945-1946. Këta e të tjerë të këtyre përmasave intelektuale, në të vërtetë kanë luajtur rol më të madh e kanë bërë më tepër se Enver Hoxha në frontin e arsimit. Nga ana tjetër, u bë e kuptueshme se qeveria komuniste i ngriti shkollat për ti shfrytëzuar për të shtrembëruar edhe historinë, duke hequr nga librat kolosët e vërtetë dhe duke bërë "vigan" dhe “strateg” për gjithçka Enver Hoxhën, kur në të vërtetë ai ishte vetëm me shkollë të mesme, me dëftesën e Liceut Francez të Korçës! Pra, lejoi arsimimin masiv që t'i bënte nxënësit dhe studentët sa më të politizuar, më të partizuar e më të enverizuar...Kjo e keqe shprehet dhe kuptohet edhe sot, 41 vjet pas vdekjes së tij fizike!
Disa enveristë të përjetshëm kapen fort tek bunkerët dhe tunelet që ndërtoi Enveri, sipas tyre jo shteti dhe buxheti, që mbushej me taksat e fshehta, mbuluar si me gjethe fiqsh nga pagat e ulëta. Për tu bindur për kotësinë apo boshësinë e investimeve qindra miliona apo miliarda dollarë për rreth 750.000-1 milionë bunkerë, na ndihmojnë ca fakte nga lufta e marsit 2026 SHBA-Izrael kundër Iranit. Një bombardues i zakonshëm përdor bomba me peshe 2500 kg. Këto kanë një energji kolosale, e cila vetëm nga pesha (pa shpërthyer) mund ta bëjë bunkerin copa- copa. Po ti shtosh kësaj edhe energjinë e shpërthimit një bunker i kohës së Enverit bëhet pluhur, miell e niseshte...Bombarduesit B2 mbajnë bomba me peshë deri 13 ton, që mund të shkatërrojnë tunele betoni në thellësi disa dhjetëra metra...
Plot enveristë dhe “të majtë” më të moderuar si dhe “të pavarur” shprehen se 35 vite pas 1990-tës enverizmi ka mbetur një e keqe apo një kujtim i së kaluarës në Shqipëri. Këtë “e argumentojnë” me faktin se shumica e atyre që kanë lindur pas 1990-tës nuk e kanë njohur Enver Hoxhën dhe nuk e kanë përjetuar ferrin e diktaturës së tij. Ky opinion shpreh mungesë të ndjeshme informimi për zhvillimet politike, ekonomike, sociale...të këtyre 35 viteve në Shqipëri,...Këta nuk duan të pranojnë faktin se në varr janë vetëm kockat e Enverit, kurse shpirti, mendësia dhe trashëgimia e tij, përmbledhur ne "qesen apo pampersin e enverizmit", është në trurin e Edi Ramës e në pushtet, tek pushtetarët që ka pranë e përreth! Vërtetë shumë të rinj lindur pas 1990 nuk e kanë njohur Enverin, por nga partishmëria dhe nostalgjia e baballarëve dhe gjyshërve si dhe nga veset që u kultivoi Enveri atyre, janë bërë më enveristë se ata! Kjo mund të kuptohet shpejt e lehtë kur bisedon me shumicën e atyre e kur i dëgjon me të tjerë...Bazuar tek rrjedhojat negative destruktive dhe rreziqet e vazhdueshme që ka, nën shembullin e Gjemanisë me nazizmin, tek ne enverizmi mund të ishte kufizuar ndjeshëm në qoftë se do të ndalohej me ligj për 5, 10, 15, 20... vjet e drejta e votimit për individët, grupimet...e infektuar rëndë dhe përjetësisht nga kjo e keqe, Nëse do të ishte zbatuar kjo masë, jo fort demokratike, me siguri edhe varianti i tij i këtyre 25 viteve, edramizmi, nuk do të kishte këtë shtrirje, masivitet, agresivitet, pushtet...!
Shumë enveristë fanatikë, përhapin nostalgjinë e tyre histerike ndaj “epokës” dhe diktaturës enveriste, duke u kapur në mënyrë mashtruese tek përralla se “në kohën e tij kishte qetësi e siguri, sa edhe femrat mund të lëviznin pa frikë edhe në mesnatë, pas ndërrimit të turneve të dytë e të tretë..”.Por, këtyre mund tu kujtojmë se në “ferr-parajsën” e Enverit të tyre ishin shumica e popullit njeri më i varfër se tjetri e njeri më polic se tjetri...Në atë kohë hajdutët, që nuk ishin të pakët, vidhnin nëpër xhepa në mes të ditës e në mes të autobuzëve dhe vagonëve të trenave, ku njerëzit ishin të shumtë e të ngjeshur si sardelet nëpër kutija, Jo rrallë herë disa hajdutë, shumica për bukën e gojës, janë befasuar dhe zhgënjyer kur i kanë hapur dhe gjetur kuletat e jo pak viktimave edhe më me pak lekë se tek të vetat!?
Nostalgjikëve të enverizmit pej shumë vitesh në vende të Perëndimit Kapitalist mbetet tu themi: ejani më shpesh në Shqipëri dhe qëndroni të paktën 1 muaj që të bindeni se sa shumë jeni mashtruar nga vetja e ca miq enveristë të përjetshëm! Apo, nga videot e reklamave të televizorëve proqeveritare të Tiranës, në të cilat në çdo 30 minuta emision lajmesh , ngjashëm si në kohën e Enverit, shikohet dhe dëgjohet nga 5-6 herë ose në rreth 15 minuta, figura dhe zëri i Edi Ramës, që ka mbi 12 vjet që flet si “e ëma e Zeqos në majë të thanës”!?.