Me javë e muaj, qytetarët janë duke u përballur me propagandën informative të mjeteve të informimit, përkatësisht televizioneve joprofesionale, të cilat veprimtari dhe kauzë e kanë biznesin. Qytetarët po bombardohen nga lajme të ndryshme, me plot të pavërteta, me shpifje e konspiracione e çka jo tjetër, të cilat rrjedhin nga “kuzhinat” e disa portaleve që udhëhiqen apo menaxhohen nga individë apo klane që nuk kanë asgjë të përbashkët me gazetarinë profesionale dhe etikën editoriale, e cila është norma e parë e një mediumi që informon apo e helmon opinionin. Dështimet e partive në politikën e përditshme po ia zënë frymën lirisë dhe demokracisë së shtetit tonë, i cili edhe kështu po sulmohet dhe sfidohet nga të gjitha anët, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Në shekullin XXI, Shqiptarët e Kosovës po përballen me të ashtuquajturën klasë politike, e cila në asnjë mënyrë nuk i përmbush kërkesat apo standardet për t’u marrë me politikën që imponon koha. Partitë politike, pas hileve dhe obstruksioneve që ia sollën vendit në bllokimin e zgjedhjes së Presidentit apo Presidentes, tani janë aktivizuar për ta vazhduar kaosin, duke dalë me deklarata destruktive se përsëri nuk do ta votojnë kandidatin për President që e propozon Lëvizja Vetëvendosje. Kjo çmenduri që po i ndodh Republikës së Kosovës është e pajustifikueshme, duke kontribuar me vetëdije në dëm të proceseve demokratike dhe në dëm të funksionimit të institucioneve të shtetit. Askush nuk ka menduar se ky soj njerëzish do t’i ironizojë qytetarët e këtij vendi, të cilët edhe kështu kanë halle dhe probleme të ndryshme për ta siguruar një jetë normale. Bota po bën çudi me ne se çfarë njerëzish, çfarë mendësie, çfarë kulture dhe çfarë niveli të pjekurisë intelektuale e politike kemi, kur nuk jemi në gjendje ta zgjedhim një President jopartiak apo një figurë të pavarur nga Shoqëria Civile. Më thotë mendja se pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, kalkulimet dhe manovrimet e liderëve partiakë, grupeve të interesit dhe klaneve mafioze duhet t’u mbyllet dera, për t’i ndalur një herë e përgjithmonë, duke i larguar me votën e popullit nga skena politike. Kjo që po ndodh është e pafalshme dhe e dhimbshme për shtetin e Kosovës, në një kohë kur bota është trazuar nga prishja e balancës së rendit Botëror dhe shpërthimi i konflikteve dhe luftërave anembanë globit. Në anën tjetër, politika qorre e të ashtuquajturave parti politike, të cilat nuk kanë asnjë vlerë, bëjnë kalkulime të ndryshme duke e maltretuar dhe traumatizuar popullin për interesa personale, familjare e karrieriste. Më thotë mendja se është koha e fundit që qytetarët e këtij vendi të aktivizohen në mënyrën më serioze për t’i braktisur këto klane, të cilat janë bërë të gërrditshme dhe barrë e rëndë për ardhmërinë e Kosovës. Në fund po theksojmë se nese këto parti e dërgojn sërish vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme në kundërshtim me disponimin e popullit nuk mbetet tjetër përpos thirrjes të qytetarëve për ti bojkotuar zgjedhjet nëse shpallen.