Kur dihet se ekipi kombëtar i futbollit të Turqisë, që 24 vjet — do të thotë që nga viti 2002 — nuk ka marrë pjesë në kampionate botërore të futbollit për Kupën e Botës, dhe pjesëmarrja e tyre e fundit ishte në Japoni dhe në Korenë e Jugut, me ç’rast Turqia e pati zënë vendin e tretë, e pas atij viti me humbje për një kohë të gjatë dhe pa rezultate në kampionatet e Kupës së Botës në futboll (2006, 2010, 2014 dhe 2018), atëherë shteti ynë, Kosova Dardania, duhet të ndihet krenar, sepse me humbjen e lojës së mbrëmshme në stadiumin e futbollit “Fadil Vokrri”, prapëseprapë — FITOI, por në arenën politike botërore!
Fitoi sepse, me vulën dhe rezultatin humbës sportiv, shteti ynë e përforcoi shtetësinë e vet edhe për një çikë, dhe atë në formë indirekte metodike, regjistruese të zgjatjes së mëtutjeshme elastike (tashmë të njohur për ne) “ngreh e mos këput” të procesit drejt rrugës së mëtejshme të shtetformimit.
Dhe aktualisht, nga data e sotme 01.04.2026, Turqia u kualifikua për Kampionatin Botëror të Futbollit në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Si rrjedhojë, me fitoren e mbrëmshme me rezultatin 1:0 kundër formacionit tonë kombëtar të shtetit tonë, Kosovë Dardania, euforia dhe gëzimi i pakufishëm, si mirëqenie e shtuar e shikuesve dhe tifozerisë bilaterale, ishte aq voluminoze sa që e njëjta — fitorja — u përjetua si një dehje kënaqësie e përkohshme dhe si entuziazëm unik jetësor!
Mirëpo, nëse nuk e anashkalojmë situatën momentale, posaçërisht atë politike, atëherë lirisht mund të vijmë deri te konkluzioni (përfundimi) se rezultati i lojës në favor të shtetit tonë ende në shtetformim dhe jo totalisht i finalizuar do të ishte një paradoks mijëvjeçar (si një qëllim pa realizim!). Sipas mendimit tim, edhe vetë ndeshja e mbrëmshme, kështu apo ashtu, ishte disi konfuze, sepse — edhe njëherë po e citoj, vetëm sipas mendimit tim:
“Turqit luajtën kundër turkut.”
Nëse duam ta dimë se për kë bëhet fjalë, nisur nga aspekti politik?!
Por ç’të bëjmë, kështu e ka jeta!
Fitorja është FITORE!
E nëse mendojmë thellë e thellë, përkatësisht po që se nisemi nga gjendja politike, ekonomike, kulturore, edhe sportive, bazuar në situatën aktuale globale, po shihet se:
fitoret më të “këndshme” shumica e njerëzimit po i konsideron fitoret që po fitohen përmes “humbjeve”.