Në konventën e LDK-së, ku u shpalosën emrat e delegatëve për zgjedhjet parlamentare të 7 Qershorit të sivjetëm, të pranishmit jo të shumtë, si dhe publiku i gjerë që këtë ngjarje e ka përcjellë nga jashtë përmes mediave audiovizive, patën rast që në vepër ta shikojnë përqafimin tejet emocional dhe të shfrenuar të gëzimit të dy dështakëve, të dëshmuar edhe si injorantë, të cilët në momentin ekzagjerues dhe tejet emocional të përqafimit, as vetë nuk ishin saktësisht të vetëdijshëm për motivin e atij gëzimi dhe përqafimi.
Përqafuesi i parë, që nuk ia vlen as emrin t’ia përmendësh, ka kohë që në krye të LDK-së, nëpër zgjedhjet paraprake, shkon nga humbja në humbje, duke e zvogëluar përqindjen dhe numrin e pjesëmarrjes së deputetëve të LDK-së në Parlamentin e RKS-së.
Këtë ai e bën edhe duke i zvarritur pas vetes disa mercenarë dhe pazarxhinj të dëshmuar të territoreve të veriut të Kosovës.
Kësisoj, ky dështak i dëshmuar, tani për tani e valon flamurin e prijësit të degradimit të LDK-së, duke e helmuar kësisoj anëtarësinë e devotshme të LDK-së së Dr. Ibrahim Rugovës.
Pra, kemi të bëjmë me një dështak dhe injorant “sui generis”, i cili interesat përfituese personale dhe të atyre që e kontrollojnë dhe dirigjojnë, i ka vënë mbi interesat shtetërore të RKS-së, mbi vlerat e mirëfillta të LDK-së, si dhe mbi kujtimin për personalitetin dhe veprën kolosale të Dr. Ibrahim Rugovës.
Përqafuesja e dytë, e cila po ashtu nuk e meriton t’i përmendet emri, me një servilizëm të sëmurë dhe mashtrime perfide arriti në zyrën e Presidencës së RKS-së, e që tani po me të njëjtin vëllim të servilizmit, të cilit ia ka shtuar në dozë të madhe edhe ambicien e sëmurë për rizgjedhje falso — aty ku nuk e ka merituar kurrsesi të gjendet — pa pikë turpi po përqafohet me shpresë dhe gëzim absolutisht të pabazë për rizgjedhje.
Kjo serviliste injorante, që dikush e quajti ditë më parë edhe tradhtare, me paaftësinë e saj për ta përfaqësuar Kosovën me dinjitet dhe substancë, por me aftësi të jashtëzakonshme manipulative për pasurim të dyshimtë duke e shfrytëzuar pozitën shtetërore, gjatë mandatit të saj që ia dhuruan ata që tani ajo po i njollos me lloj-lloj epitetesh ofenduese, vetëm e vetëm për arsye se nuk e absorbojnë sërish për të njëjtin post, ndër të tjerash, në mandatin e saj nuk bëri asgjë tjetër veçse të rinjve u dha shembuj se si nuk jetohet mirë në Kosovë dhe se si ata do të duhej të largoheshin sa më larg Kosovës.
Këto shembuj të tmerrshëm, kjo injorante ua jepte të rinjve duke u reklamuar me prona të paluajtshme nëpër kontinente të largëta, si dhe prona të shumta, por me prejardhje të pajustifikuar në Kosovë.
Më në fund, keqpërdori funksionin që e ushtronte, në tentativë për ta shpërndarë Kuvendin e RKS-së krejt me qëllim dhe ambicie të sëmurë për t’u rizgjedhur sërish “presidente”, duke i shkaktuar në këtë mënyrë Kosovës dëme të pariparueshme politike dhe ekonomike.
Me pak fjalë, ky do të ishte një rikapitulim i shkurtër i të gjithë “veprimtarisë dhe angazhimit” të kësaj përqafueseje gjatë qëndrimit në zyrën presidenciale.
Por tani, me një përqafim emocional të sforcuar me atë dështakun e parë, kjo dështake mundohet që, me fotografinë e Dr. Ibrahim Rugovës në sfond, mbi parimet e të cilit shkeli me të dyja këmbët, tenton pa pikë turpi të shitet si “person që e kërkon populli”, i njëjti popull që, përmes përfaqësuesve të vet nëpër partitë politike, nuk dëshiron t’ia shikojë as suratin.
Injoranca e këtyre dy dështakëve të bën të mendosh se këta të dy, në momentin e përqafimit emocional, aspak nuk kanë qenë të vetëdijshëm se për çka po “gëzohen” aq shumë.
I vetmi gëzim i tyre do të jetë ai se që të dy do të munden të marrin sërish rroga të pamerituara aspak si deputetë të Kuvendit të RKS-së, si dhe fakti se që të dy, në bashkëpunim të ngushtë, në tentativë do ta valojnë flamurin e degradimit të LDK-së në mënyrë permanente.
Në përfundim, do t’i sugjeroja parlamentit dhe qeverisë që do të dalin nga këto zgjedhje, që në mënyrë urgjente, me ligje përkatëse, të ridefinojnë benefitet e ish-presidentëve të RKS-së, duke i zvogëluar ato në mënyrë shumë të arsyeshme, për së paku 70%, mënyrë kjo që do të jetë në përputhje me standardin e jetesës së shumicës së popullit në Kosovë, si mënyra më efikase e sanksionimit të mos punës dhe pasurimit të pabazë — të llojit të kësaj rigarueseje.