Politika pa votë “vret” votën e zgjedhësve

Opinione

Politika pa votë “vret” votën e zgjedhësve

Nga: Sami Mulaj Më: 16 korrik 2026 Në ora: 22:06
Sami Mulaj

Ngërçi, më shumë se politik, po e shfaq Kosovën si një shtet pa shtet…?!

Po shfaqet një kufizim “me ligj” e “pa ligj” i sovranit, popullit të Kosovës, duke ia ndaluar votës së qytetarëve vendimin e saj pluralist për krijimin e institucioneve të pushtetit.

Populli e ka zgjedhur për tri herë radhazi parlamentin e vet.

Parlamenti, me shumicë votash, ka zgjedhur kryesinë dhe organet drejtuese të parlamentit, ka zgjedhur qeverinë dhe përbërjen e saj, përsëri me votë… Por nuk e zgjedh presidentin, duke mos shkuar në sallë për votim (?!) dhe partitë nuk merren vesh, duke ngulur këmbë në të drejtën e tyre, që kundër vullnetit të shumicës së votuesve të mos zgjedhin presidentin me “mosvotim”.

Pra, “mosvotimi” i deputetëve është më i fortë dhe e rrëzon vullnetin e popullit sa herë që partitë, për interesa meskine, për lojë “të pistë” politike të çastit, i kundërvihen votës së popullit dhe tallen me popullin e Kosovës… (?!)

Sa duhet të zgjasë kjo maskaradë e paskrupullt? Dhe mburrja e politikës është sa “e pafytyrë”, aq edhe qesharake…?!

Sa herë duhet të votojë Kosova që politika dhe njerëzit e saj të kuptojnë se ata zgjidhen nga populli për të bërë shtet dhe jo vetëm pushtet…?

Në demokraci është e lehtë të bësh “kryeneçin” dhe “të fortin” për pushtetin, por në kuptimin e plotë të fjalës, trimëri politike është “fortësia” për të ulur “kryeneçësinë” boshe. Është “trimëri” përulësia ndaj vullnetit të zgjedhësve, për të ndërtuar shtet dhe jo pushtet.

Dhe nëse “kushtetuta” e mosnjohjes së zgjedhjeve të qytetarëve bëhet “pengesë”, atëherë është politika dhe njerëzit e politikëbërjes që duhet ta shporrin dhe t’i japin qytetarit lirinë e plotë të pushtetvotës demokratike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat