Rebelimi i mendësisë adoleshente në destabilizimin e Kosovës

Opinione

Rebelimi i mendësisë adoleshente në destabilizimin e Kosovës

Nga: Ismail Muçiqi Më: 16 shtator 2026 Në ora: 17:20
Ismail Muçiqi

Këto ditë, Republika e Kosovës po përballet me lajme sensacionale, me deklarata të pakontrolluara dhe me kërcënime nga individë të caktuar, të cilët e kanë humbur rrugën dhe kontrollin në të menduarit racional e logjik. Republika e Kosovës i ka sot institucionet përkatëse, të cilat janë në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit dhe të cilat janë adresa e vetme në vlerësimin e situatës aktuale politike dhe të sigurisë në Kosovë.

Qytetarët këto ditë janë në ankth se, me rastin e shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës së Hagës, kanë frikë se grupet e caktuara të papërgjegjshme, të ndihmuara nga shërbime të ndryshme, të cilat nuk ia duan të mirën Kosovës, përmes formave të ndryshme të protestave apo veprimeve të pakontrolluara, mund t’i sjellin vendit pasiguri apo ndonjë rrezik për qytetarët. Kjo situatë e krijuar përmes deklaratave të ndryshme ka krijuar stres dhe panik se çka mund t’i ndodhë Kosovës.

Më thotë mendja se Republika e Kosovës, si shtet demokratik, ka institucionet e dala nga vota e popullit, duke filluar nga Parlamenti, Qeveria dhe institucionet përkatëse të sigurisë, siç janë Policia e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, AKI-ja dhe shërbimet tjera përkatëse, të cilat janë në funksion të mbrojtjes së vlerave të historisë së lavdishme, të luftës së UÇK-së dhe sakrificave të shumë gjeneratave që u flijuan për pavarësinë e këtij vendi.

Nuk jemi të vetëdijshëm për situatën e sigurisë globale, e cila po sfidohet me luftëra dhe rreziqe të njëpasnjëshme, me pasoja të paparashikueshme për botën. Destabilizimit të Kosovës i gëzohen vetëm armiqtë e saj, siç janë Serbia e Rusia, armiq shekullorë gjatë historisë.

Andaj, çdo deklaratë e paartikuluar dhe e pakontrolluar, e kujtdo qoftë, i fryn zjarrit, duke ngritur tensione dhe rreziqe ndërpartiake e ndërnjerëzore, të cilat nuk i duhen Kosovës.

Ne, si popull i Kosovës, me kohë jemi deklaruar dhe kemi shprehur besimin e plotë te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partnerë strategjikë të Kosovës. Duhet ta kuptojmë se në Gjykatën e Hagës fjalën kryesore dhe peshën e vendosjes kanë dy personalitete të prokurorisë dhe kolegjit gjyqësor me shtetësi amerikane.

Ne nuk guxojmë, në këto momente dramatike, të krijojmë situata sikur ngjarjet e vitit 2004, të cilat e dëmtuan procesin e integrimit të shtetit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare diplomatike, duke e faktorizuar Serbinë nga pozita e “xhelatit në viktimë”.

Kosova ka nevojë për urtësi, qetësi, pjekuri dhe iniciativa të reja për reforma të rëndësishme në politikën aktuale, të cilën e kanë ndotur partitë politike duke e bllokuar shtetin.

Kemi fatin e mirë se sot Kosova vëzhgohet dhe monitorohet nga shërbimet inteligjente të shteteve mike, të cilat, përmes EULEX-it dhe KFOR-it, kanë mundësi që brenda 24 orëve të zbulojnë çdo ekses apo veprim kriminal që mund t’i ndodhë vendit.

Andaj, në fund, shpresojmë në pjekurinë e institucioneve të shtetit dhe në urtësinë e popullit të Kosovës që, pavarësisht se si do të përfundojë verdikti i aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë, interesi i shtetit të Kosovës është më i madh dhe më i shenjtë se të gjithë ne që punojmë në politikë apo në jetën publike.

Andaj, deklaratat adoleshente të disa individëve dhe grupeve të caktuara janë jo relevante karshi gjendjes ekzistuese, gjithmonë e ruajtur dhe e kultivuar me bekimin e popullit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat