Në fotografinë zyrtare të samitit në Budvë të Malit të Zi, liderët e rajonit qëndrojnë krah për krah përpara flamujve të vendeve të tyre. Në rreshtin e parë është edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Në versionin që Edi Rama publikoi në faqen e tij në Facebook, Kurti nuk është më. Fotoja është prerë pikërisht aty ku fillon ai.
Mediat pranë kryeministrit shqiptar e kanë gati shpjegimin: inat personal. Dihet që raportet mes dy kryeministrave kanë vite që janë të ftohta, dhe një gjest i tillë, thonë ata, është thjesht vazhdim i asaj grindjeje. Është shpjegimi më i lehtë. Por inati mund të shpjegojë një gjest, jo një vijë politike.
Duhet ta them qysh në fillim: unë nuk jam i majtë dhe nuk e ndaj ideologjinë e Vetëvendosjes. Si i pavarur me bindje liberale të djathta, kam mospajtime të shumta me Kurtin. Por ka çështje ku majtas e djathtas nuk vlejnë, dhe veriu i Kosovës e sovraniteti i saj janë ndër to. Pikërisht aty, prej vitesh, Rama ka qenë në anën e gabuar.
Le t’i rendisim faktet.
Në vitin 2018, kur në Beograd e në Prishtinë u fol për “korrigjim kufijsh”, pra për ndarje të Kosovës, Rama ishte ndër zërat që i dhanë hapësirë kësaj ideje. Më pas ndërtoi “Ballkanin e Hapur” krah për krah me Aleksandar Vuçiqin, një nismë rajonale ku Kosova nuk kishte vend të barabartë në tryezë. Në vjeshtën e vitit 2023, pasi paramilitarët serbë vranë një rreshter të Policisë së Kosovës në Banjskë, Rama zgjodhi të deklarojë për “Financial Times” se veriu i Kosovës ishte bërë “tokë e askujt”. Në të njëjtën periudhë kërkoi që kontrollin e veriut ta marrë KFOR-i, jo institucionet e Kosovës. Në Tiranë, shumica e tij parlamentare rrëzoi rezolutën për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. Dhe këtë gusht shkroi se “Serbia e humbi Kosovën”, sikur Kosova të kishte qenë ndonjëherë pronë e saj.
Për secilën prej këtyre ka një shpjegim. Rama thotë se mbështet njohjen e plotë të Kosovës. Thotë se KFOR-i është NATO dhe jo forcë ndarëse. Socialistët thonë se Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ndër vite rezoluta e deklarata të shumta për krimet serbe në Kosovë. Mund të jetë kështu. Por kur një politikan ka nevojë për shpjegim pas çdo hapi, dhe kur çdo hap, një nga një, përputhet me atë që Beogradi kërkon prej vitesh, atëherë nuk kemi më të bëjmë me rastësi. Kemi të bëjmë me drejtim.
Serbisë nuk i konvenon që veriu i Kosovës të jetë nën autoritetin e shtetit të Kosovës. Nuk i konvenon që Kosova të ulet si e barabartë në tryezat rajonale. Nuk i konvenon që krimet e saj të quhen me emrin e tyre. Vuçiqit nuk i duhet t’i thotë vetë këto gjëra me zë të lartë. Mjafton që t’i thotë dikush tjetër, aq më mirë nëse ai dikush është kryeministër shqiptar.
Fjalët kanë peshë, sidomos kur flitet për historinë tonë. Kosova nuk u “humb” nga Serbia, Kosova u çlirua. Veriu i saj nuk është tokë e askujt, është tokë e Republikës së Kosovës dhe e mbrojnë forcat e saj. Dhe gjenocidi ka emër, pavarësisht se kush voton në Tiranë.
Prandaj fotoja e prerë nga Budva nuk është një detaj i vogël protokolli. Është pasqyra e një qëndrimi: një Kosovë pa vend, pa zë dhe, kur i del dikujt për hesap, pa shtet. Një foto mund të pritet me dy klikime. Republika jo.