Zgjedhjet në Serbi, si shans dhe jo si punë e kryer për Kosovën!

Opinione

Zgjedhjet në Serbi, si shans dhe jo si punë e kryer për Kosovën!

Nga: Prof. Dr. Enver Bytyçi Më: 1 nëntor 2026 Në ora: 17:13
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Zgjedhjet në Republikën e Serbisë dhanë një rezultat pozitiv për Lëvizjen opozitare Studentore. Autokrati Aleksandër Vuçiq shkoi në opozitë, ndërsa djali i Milosheviçit, Ivica Daçiq, doli jashtë parlamentit. Ishte një sukses i padiskutueshëm i studentëve, rinisë dhe popullit opozitar në Serbi. Por ky sukses duhet lexuar me kujdes dhe pa eufori nga ana e Kosovës, madje edhe nga ana e Shqipërisë dhe faktorëve të tjerë shqiptarë në Ballkan. Fitorja e Lëvizjes Studentore në Serbi nuk duhet lexuar automatikisht si fitore e Kosovës në radhë të parë. Që do të thotë se duhet të shohim dhe duhet të jemi të kujdesshëm në përceptimin e pritshmërive.

Logjikisht parlamenti dhe qeveria e re në Beograd do të duhej që të ndryshonin qasjen ndaj Kosovës dhe faktorit shqiptar në Ballkan. Por që të ndodhë kjo do të duhet parë në dy aspekte: - Së pari, sa e përkushtuar është qeveria e re për t’u integruar në Bashkimin Europian dhe, Së dyti, a do të heqë dorë Serbia nga neutraliteti, me qëllim që të integrohet në NATO. Për mendimin tim kjo ka gjithashtu një kusht të patjetërsueshëm. NATO dhe BE duhet të jenë fituese në konfliktet e sotme gjeopolitike. Serbia ka qenë, është dhe do të jetë e prirur të shkojë me fituesin. Këtë na e mëson historia e saj. Por sërishmi shtrohet çeshtja, a do të jetë e gatshme qeveria e re që ta anëtarësojë vendin në BE dhe në NATO? Nëse po, atëherë natyrshëm vijmë te përgjigja pozitive për ndryshimin e politikave serbe ndaj Kosovës. Nuk ka e nuk mund të ketë një Serbi anëtare e sturkturave politike dhe të sigurisë euro-atlantike pa normalizuar marrëdhëniet e saj me të gjithë fqinjët, përfshirë edhe Kosovën.

Deri tani qeveria e re ka dhënë sinjale pozitive. Ajo hoqi para disa ditësh posteret anti-Kosovë në muret dhe hapësirat propagandistike të Beogradit, gjë që nuk kishte ndodhur më parë. Ishte shenjë civilizuese e vullnetit të mirë ky akt. Nga ana tjetër një eksponent i krahut të fitores ka deklaruar se Lista Srpska nuk do ta ketë mbështetjen e qeverisë së re në Beograd. Madje ai akuzonte politikanët e Listës se kanë bërë presion te zgjedhësit e minoritetit serb për ta votuar atë gjatë fushatave elektorale. Ndërkohë që thuhet se liderët politikë të saj tashmë kanë problemin se si ata do ta zgjidhin fatin personal të tyre. Edhe në Luginën e Preshevës shqiptarët shprehen më optimistë për të drejtat e tyre në kuadër të Serbisë. Dhe të tri këto elementë mund të zgjojnë një eufori jo reale në mjedisin shqiptar e në veçanti atë të Kosovës.

A mund të ndodh mrekullia? Eshtë shumë e vështirë të ndodhë ajo, pra që qeveria e re e Serbisë të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. Kjo për disa arsye. E para lidhet me kushtetutën serbe. Fituesit në Beograd nuk i kanë votat për ndryshime kushtetuese. Ndërkohë që kushtetuta serbe e sheh Kosovën si pjesë të sovranitetit të Serbisë. Pa ndryshuar kushtetutën, nuk bëhet fjalë për njohjen e Kosovës. Kësisoj qeveria do ta ketë të vështirë të bëjë ndryshimin radikal. Ndërkohë që po të kemi parasysh se brenda koaëicionit të qeverisjes ka elementë të politikë radikale anti-Kosovë, kjo e bën akoma më të vështirë njëhjen e Kosovës. Prandaj dhe institucionet kosovare duhet të jenë të vëmendshme dhe të matura. Ta shfrytëzojnë situatën e re për t’i dhënë shans zhvillimeve pozitive në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe nga ana tjetër të bëjnë kujdes për kurthe të reja që mund të ngrihen.

Në petkun e ndryshimit ka mundësi që qeveria e re të fitojë mbështetjen e Perendimit. Dhe Perendimi mundet që për ta afruar Serbinë në klubin e vet t’i bëjë Kosovës presion për lëshime ndaj Serbisë, lëshime, të cilat do t’i motivojë e kërkojë Beogradi. Nëse ndodh kjo, atëherë asgjë nuk ka ndryshuar në Serbi, së paku sa i përket qëndrimit ndaj Kosovës. Lëshimet do të ishin të papranueshme, sepse cënojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit në Kosovë. Ndërkohë që dobësojnë institucionet dhe qeverisjen e vendit. E gjithashtu lëshimet nuk do të ishin relevante edhe në raport me perspektivën. Çfarë dua të them me këtë? Duhet pritur që qeveria e re në Serbi ta marrë vendimin e saj përfundimtar për raportet me BE-në dhe NATO-n. Duhet pritur që Mali i Zi të anëtarësohet në BE. Dhe në këtë rast Serbia do të xhelozojë. Kjo do ta detyrojë qeverinë e saj të pranojë kushtet e integrimit europian, çka do të thotë që të heqë dorë nga Kosova. Kësisoj Kosova nuk ka ngut. Ngut ka e do të ketë gjithjnë e më shumë Serbia. Pikërisht këtë favor duhet ta shfrytëzojnë autoritetet e Kosovës dhe të imponojnë zgjidhje të drejta, të cilat shkojnë në çdo rast në favor të shtetësise dhe pavarësisë së vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat