Tanguy Nef ngjitet për herë të parë në podiumin e Kupës së Botës: Besoj se do ta fitoj edhe një garë

Skijim

Tanguy Nef ngjitet për herë të parë në podiumin e Kupës së Botës: Besoj se do ta fitoj edhe një garë

Nga: B.S. Më: 22 nëntor 2026 Në ora: 18:50
Skiatori zviceran Tanguy Nef ka arritur të ngjitet në podiumin e Kupës së Botës

Skiatori zviceran Tanguy Nef ka arritur të ngjitet në podiumin e Kupës së Botës për herë të parë në karrierën e tij, pas 86 garave të zhvilluara në këtë nivel.

Nef zuri vendin e tretë në sllallomin e Gurglit në Austri, duke regjistruar rezultatin më të mirë të karrierës së tij në Kupën e Botës.

“Ky është një terren që më përshtatet. Më pëlqen kjo pistë”, deklaroi zvicerani pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve.

Ai shpjegoi se çelësi i suksesit ishte skijimi me zgjuarsi dhe shfrytëzimi i pjesëve të pistës ku mund të sulmonte më shumë.

“Në këtë pistë duhet të skijosh me zgjuarsi. Aty ku mund të sulmosh, duhet ta bësh këtë”, u shpreh Nef.

Gjatë falënderimeve për ekipin dhe familjen e tij, skiatori zviceran u emocionua.

“U desh pak kohë, por kështu është edhe më bukur”, tha ai me zërin që i dridhej nga emocionet.

Nef kishte debutuar në Kupën e Botës në vitin 2018, në Levi të Finlandës. Tetë vjet më vonë, ai më në fund arriti të ngjitej në podium.

Në shkurt, ai kishte fituar edhe medaljen e artë olimpike në kombinimin ekipor, së bashku me Franjo von Allmen.

Megjithatë, Nef synon të mos ndalet me kaq.

“Gjatë gjithë karrierës sime e kam ditur se jam në gjendje të ngjitem në podium. Besoj se do të arrij ta fitoj edhe një garë të Kupës së Botës”, përfundoi skiatori zviceran.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat