Karriera e Lara Gut-Behramit përfundoi gjatë verës.
Tani, skiatorja zvicerane nga kantoni i Tiçinos ka folur për herë të parë gjerësisht për vendimin e saj që të mos rikthehet në gara, pavarësisht se në horizont ishte Botërori në shtëpi.
Në fillim të gushtit, Lara Gut-Behrami (35) e bëri publik vendimin e saj për pensionim nga skijimi aktiv.

Pas këputjes së ligamentit të kryqëzuar të gjurit, që e pësoi në nëntor të vitit të kaluar, ajo nuk do të rikthehet më në skenën e Kupës së Botës.
Tani, kampionia olimpike në Super-G dhe dy herë kampionia e botës (në sllallomin e madh dhe Super-G) ka folur për herë të parë gjerësisht për këtë vendim.
“Që kur nuk garoj më, gjithçka është bërë dukshëm më e bukur”, ka thënë skiatorja nga Tiçino në një intervistë për gazetën zvicerane “Tages-Anzeiger”.
Ajo shpjegon se nuk ndihet më vazhdimisht nën presion dhe se as vetes nuk i ushtron më presion, pasi nuk ka më detyrimin të japë rezultate dhe të fitojë.
Gjatë karrierës së saj, Gut-Behrami ka fituar shumë. Përveç medaljeve në garat e mëdha, ajo ka regjistruar 48 fitore në Kupën e Botës, është ngjitur gjithsej 101 herë në podium dhe ka fituar gjashtë herë globin e vogël dhe dy herë globin e madh të Kupës së Botës.
“Jam ende i njëjti person”
Dallimi ndërmjet jetës si sportiste aktive dhe asaj si skiatore e pensionuar është më pak drastik sesa kishte pritur.
“Jam ende i njëjti person”, ka thënë Gut-Behrami.
Shumë gjëra kanë mbetur të ngjashme, si ritmi i gjumit dhe zakonet e të ushqyerit. Por tani nuk ka më nevojë të merret vazhdimisht me parashikimet e motit dhe mund ta shikojë ndonjë film deri në mesnatë.
Megjithatë, ajo vazhdon të stërvitet.
“Unë ende stërvitem. Por tashmë nuk ka të bëjë më me atë se sa peshë ngre, por me atë që më bën mirë”, ka theksuar ajo.
Botërori në shtëpi nuk ishte motiv për rikthim
E pyetur për faktin se nga rrethi i saj për një kohë të gjatë ishte dëgjuar se po stërvitej për rikthim, Gut-Behrami është përgjigjur:
“Në fillim, as që kam menduar seriozisht për një rikthim”.
Ajo ka shpjeguar se qëllimi i saj ishte të rikuperohej plotësisht dhe të bëhej sërish 100 për qind e shëndetshme.
Vetëm në korrik, kur ishte në gjendje të mirë fizike për t'u rikthyer në ski, ajo filloi t'i bënte vetes pyetjen:
“A ndihem ende mirë me këtë?”
Përgjigjja e saj ishte jo.
Në të njëjtën kohë, Gut-Behrami thekson se për të ishte veçanërisht e rëndësishme që të mos detyrohej nga trupi për ta përfunduar karrierën.
“Vendimi ishte në duart e mia”.
Ajo thotë se përvojat e përjetuara gjatë karrierës kanë qenë pasuruese, por gjithçka që mund të vinte më pas nuk do t'i dukej më e drejtë.
As Botërori në shtëpi, në Crans-Montana të kantonit Valais, nuk ishte motiv i mjaftueshëm për ta ndryshuar vendimin.
“Edhe një medalje e artë nuk do t'i vlente muajve që do të duhej t'i sakrifikoja”, ka deklaruar ajo.
Gut-Behrami është e qetë me vendimin e saj dhe me jetën e re pas sportit.
“Gjithçka bëhet më e vështirë me kalimin e moshës”, ka përfunduar ajo.