Në rrezik gara e lëshimit në Beaver Creek, mungesa e borës shkakton shqetësim

Skijim

Në rrezik gara e lëshimit në Beaver Creek, mungesa e borës shkakton shqetësim

Nga: B.S Më: 18 nëntor 2026 Në ora: 11:58
Kjo pamje paraqiste gjendjen e pistës “Birds of Prey” në Beaver Creek në fillim të muajit nëntor.

Ka lajme të mira dhe shqetësuese nga Kolorado. Garat e Kupës së Botës në Copper Mountain janë të sigurta, por një problem serioz po paraqitet në Beaver Creek, ku pista e lëshimit është në rrezik për shkak të mungesës së borës, shkruan media zvicerane “Blick”.

Shefi i garave të shpejtësisë në FIS, Hannes Trinkl, kishte paralajmëruar fundjavën e kaluar se pista “Birds of Prey” në Beaver Creek do të ishte në një gjendje shumë të mirë dhe sfiduese.

Copper Mountain, ndërkohë, vitet e fundit është bërë një qendër e njohur e stërvitjes alpine. Këtë javë, në pistën e mesme, do të zhvillohet për herë të parë një garë e Super-G-së në kuadër të Kupës së Botës.

Ditët e fundit nuk kanë shkuar sipas planit për trajnerin e ekipit kombëtar të Zvicrës në skijimin alpin, Tom Stauffer. Të hënën e kaluar, grupi i lëshimit, me heroin olimpik Franjo von Allmen, si dhe ekipi i sllallomit të madh, me pesë herë fituesin e Kupës së Botës në përgjithësi, Marco Odermatt, duhej të udhëtonin drejt Amerikës së Veriut.

Megjithatë, në fund asnjë nga yjet zviceranë të skijimit alpin nuk u paraqit në aeroportin e Cyrihut atë ditë.
Në vend të kësaj, Odermatt dhe të tjerët shkuan për stërvitje në St. Moritz. Arsyeja për ndryshimin e programit ishte mungesa e borës në Kolorado. Në Copper Mountain, zviceranët do të mund të stërviteshin vetëm në pjesën e sipërme të pistës, me disa kthesa për rrëshqitje.

“Këtu ende mund të kullotnin lopët...

Ndërkohë, në resortin e skijimit, që ndodhet në lartësinë 2.950 metra mbi nivelin e detit, pista e garës është përgatitur në atë mënyrë që të kalojë kontrollin zyrtar të borës nga FIS-i.

Më 28 nëntor, këtu do të zhvillohet gara e Super-G-së, ndërsa një ditë më vonë sllallomi i madh. Në javën pasuese, në Beaver Creek, rreth një orë larg me makinë nga Copper Mountain, janë planifikuar gara e lëshimit, Super-G-ja dhe sllallomi i madh.

Por, nëse garat në pistën e famshme “Birds of Prey” do të zhvillohen, mbetet shumë e pasigurt.
“Kur para disa javësh pashë një fotografi të Birds of Prey, pata përshtypjen se këtu ende mund të kullotnin lopët”, ka treguar Tom Stauffer.

Charles Frey, gastronom me origjinë nga Berna, i cili prej dekadash jeton në rajonin Vail/Beaver Creek dhe drejton restorantin “Ticino” në Avon, e bën të qartë se gjendja e pistës, ku janë zhvilluar kampionatet botërore në vitet 1999 dhe 2015, është përmirësuar vetëm pak gjatë ditëve të fundit.

“Në pjesën e sipërme, ndërkohë ka rënë pak borë. Por, për shkak se dielli ka qenë veçanërisht i fortë ditët e fundit, nuk ka mbetur shumë prej saj”, ka thënë Frey.

Odermatt triumfoi vitin e kaluar në pistë të shkurtuar

Ish-kampioni i botës në lëshim, Hannes Trinkl, në funksionin e tij si shef i garave të shpejtësisë në FIS, është veçanërisht i shqetësuar për pistën “Birds of Prey” në Malet Shkëmbore.

“Situata është edhe më e vështirë se vitin e kaluar. Aktualisht ka edhe më pak borë”, ka deklaruar Trinkl.
Për kujtesë, në sezonin e kaluar gara e lëshimit në Beaver Creek u detyrua të zhvillohej në një pistë të shkurtuar për rreth dhjetë sekonda për shkak të shtresës së pamjaftueshme të borës. Marco Odermatt triumfoi atëherë me kohën 1:29.84.

Ekipit që merret me përgatitjen e pistës në Beaver Creek i ka mbetur vetëm edhe një javë deri në kontrollin zyrtar të borës nga FIS-i. Sipas meteorologëve, në ditët e ardhshme në Kolorado pritet të ketë të paktën një rënie të lehtë të temperaturave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat