Me ski të ri dhe pa status në ekip, veterani zviceran nis nga fillimi

Skijim

Me ski të ri dhe pa status në ekip, veterani zviceran nis nga fillimi

Nga: B.S Më: 14 nëntor 2026 Në ora: 19:39
Zenhausern: Ishte një përgatitje interesante, me shumë angazhim dhe shpenzime shtesë.

Të mërkurën u mbushën 14 vjet nga debutimi i Ramon Zenhausern në Kupën e Botës. Që atëherë kanë ndodhur shumë gjëra: skiatori nga kantoni Valais ka marrë pjesë në 137 gara dhe ka fituar katër gara të sllallomit.

Në Lojërat Olimpike, ai ishte pjesë e ekipit fitues në garën ekipore, ndërsa ka fituar edhe një medalje në Kampionatin Botëror.

Megjithatë, veterani duhet të nisë edhe një herë nga fillimi këtë sezon. Pasi përfundoi në vendin e 36-të në renditjen e disiplinës sezonin e kaluar, specialisti i sllallomit humbi vendin e tij në ekipin C.

Kjo do të thotë se Zenhausern është dashur të përgatitet i vetëm për sezonin. Papritur, babai i tij është bërë sërish trajneri i tij dhe kështu është mbyllur një rreth:

“Ai më ka vendosur për herë të parë në ski, ka qenë trajneri im i parë dhe gjithmonë më ka qëndruar pranë me këshilla.

Rrugëtimi im ka nisur me babanë dhe tani, drejt fundit të karrierës, të punoj përsëri intensivisht me të është diçka fantastike”, ka thënë ai.

Një tjetër ndryshim ka bërë edhe në përzgjedhjen e markës së skive. Pas shumë vitesh bashkëpunimi me Rossignol, Zenhausern ka kaluar te Völkl.

“Pranverën e kaluar më kontaktuan për të bërë disa prova. Isha skeptik, por dëshiroja për herë të parë të provoja një ski tjetër. Gjithçka shkoi shumë mirë”, ka treguar Zenhausern.

Një rol të rëndësishëm në këtë ndryshim ka pasur edhe shërbyesi i skive, Marian Bires, i cili më parë kishte punuar me Manfred Pranger dhe Justin Murisier.

“Fakti që më vunë në dispozicion edhe Marian Bires ishte shumë i rëndësishëm për këtë ndryshim. Nuk do të kisha guxuar më ta merrja përsipër vetë mprehjen e skajeve të skive”, ka shpjeguar ai.

Shpenzimet i mbulon nga xhepi i tij

Sfida për skiatorin 2,02 metra të gjatë nuk është vetëm organizative, por edhe financiare. Së bashku me babanë e tij, Biresin dhe pajisjet e reja, Zenhausern udhëtoi për në kampin stërvitor në Zelandën e Re.

Ai nuk i ka llogaritur saktësisht shpenzimet, por ato janë shtuar ndjeshëm: bileta e avionit, marrja me qira e veturës, akomodimi, biletat e skive dhe fizioterapia. Të gjitha këto shpenzime është dashur t'i mbulojë vetë.

Levi, testi i parë për përgatitjet e reja

Të dhënat e para nëse kjo punë shtesë do të japë rezultat mund të shihen në Levi të Finlandës. Me këtë vend, 34-vjeçari ka edhe një llogari të hapur. Dy herë ka përfunduar në vendin e katërt, shumë pranë podiumit. Në vitin 2019 i munguan vetëm nëntë të qindtat, ndërsa në vitin 2018 vetëm katër të qindtat e sekondës për t'u ngjitur në podium.

“Kam arritur më shumë sesa kam menduar ndonjëherë. Ky është një vit shtesë, një mundësi që më është dhuruar”, ka theksuar ai.

Zenhausern nuk pret që këtë sezon të arrijë domosdoshmërisht rezultate të ngjashme me ato të së kaluarës. Për të, më e rëndësishmja është ta shijojë këtë vit.

“Pritshmëria ime ndaj vetes është që të përpiqem edhe ta shijoj këtë vit. Kam arritur më shumë sesa kam menduar ndonjëherë. Është një vit shtesë, një mundësi që më është dhuruar”, ka thënë ai.

Megjithatë, në mendjen e tij është edhe Kampionati Botëror që do të mbahet në shtëpinë e tij, në kantonin Valais. Përgatitjet stërvitore e kanë bërë optimist. Në Zelandën e Re, sipas tij, ka qenë në nivelin e skiatorëve amerikanë dhe anglezë, ndërsa javën e kaluar ka konkurruar mirë edhe në stërvitje me përfaqësuesit më të mirë të Swiss-Ski.

Megjithatë, Zenhausern, i cili shpesh është cilësuar si “kampion i stërvitjeve”, nuk dëshiron t'u japë shumë rëndësi këtyre rezultateve.

Një gjë është e sigurt: atij nuk i ka humbur as dëshira për garat e skive dhe as ambicia për të arritur rezultate.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat