Skiatorja që po i jep shkëlqim Shqipërisë në Kupën e Botës, përforcon stafin e trajnerëve

Skijim

Skiatorja që po i jep shkëlqim Shqipërisë në Kupën e Botës, përforcon stafin e trajnerëve

Më: 28 tetor 2026 Në ora: 19:06
Lara Colturi feston vendin e dytë, së bashku me Johan Clarey, i cili ka ngritur grushtin e majtë në shenjë gëzimi

Skiatorja Lara Colturi po i jep shkëlqim Shqipërisë në garat e nivelit më të lartë botëror.

Të shtunën që lamë pas, Lara Colturit i iku fitorja për vetëm një të qindtën e sekondës, duke përfunduar në vendin e dytë në disiplinën e sllallomit të madh në Sölden të Austrisë.

“Skiatorja 19-vjeçare, Lara Colturi, zuri vendin e dytë në garën e sllallomit të madh në Sölden, të shtunën, vetëm një të qindtën e sekondës prapa amerikanes Paula Moltzan.

Ajo shpjegon pse vendosi ta përforcojë stafin e saj me nënkampionin olimpik të vitit 2022 në disiplinën e lëshimit, Johan Clarey”, shkruan mediumi francez L’Équipe.

Clarey ka nisur bashkëpunimin me Colturin në javët e fundit, ndërsa përvoja e tij pritet ta ndihmojë skiatoren edhe në përgatitjet për disiplinat e shpejtësisë.

Colturi, e cila garon për Shqipërinë që nga viti 2022, dëshiron të zgjerojë gradualisht programin e saj, duke u përqendruar fillimisht edhe te supersllallomi i madh.

“Çfarë më tha ai të shtunën? Fillimisht, të kënaqesha dhe më pas ta shijoja pistën, e cila ishte në gjendje të shkëlqyer”, tha Colturi pas garës.

Ajo vlerësoi gjithashtu përvojën dhe qasjen e trajnerit të ri.

“Kjo më dha besim dhe dëshirën të jap 100 për qind. ‘Yo’ është vërtet një person shumë i mirë. Ai ende i ka të gjitha ndjesitë e një skiatori të nivelit të lartë”, u shpreh ajo, duke iu referuar Clareyt, i cili u tërhoq nga garat në vitin 2023.

“Ai përqendrohet te gjërat e thjeshta dhe kjo funksionon”, shtoi skiatorja.

Prindërit, arsyeja për një këndvështrim të ri

Vendimi për ta përfshirë Clareyn në staf ishte i vetë Colturit. Deri tani, prindërit e saj kanë luajtur rol të rëndësishëm në përgatitjen e saj sportive.

“Për supersllallomin e madh, ata do të ishin tepër të përfshirë emocionalisht”, shpjegoi Colturi, duke iu referuar prindërve të saj.

Nëna e saj, Daniela Ceccarelli, është kampione olimpike në këtë disiplinë, pasi fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2002.

Colturi tha se kishte kërkuar një specialist që mund t’i ofronte një perspektivë tjetër në përgatitje.

“U thashë se duhej të kërkonim dikë me një këndvështrim të jashtëm, një specialist të disiplinave të shpejtësisë. Bisedova me shumë njerëz, përfshirë edhe trajnerë që tashmë ishin të angazhuar, dhe disa prej tyre ma përmendën Johan Clareyn.

E telefonova në korrik dhe ai më tha shumë shpejt se ishte plotësisht i gatshëm t’i bashkohej projektit. Gjatë verës kishte disa angazhime të planifikuara, prandaj punën e mirëfilltë e nisëm vetëm javët e fundit.

Ai nuk mjaftohet vetëm duke më dhënë këshilla për supersllallomin e madh, por më ndihmon edhe në sllallomin e madh. Kjo është vërtet shumë mirë. Tani do të kemi pak kohë për të punuar në supersllallomin e madh, në përgatitje për garën e St. Moritz në dhjetor”, tha Colturi.

Colturi nuk dëshiron ta mbingarkojë kalendarin

Pavarësisht ambicieve për të garuar edhe në disiplinat e shpejtësisë, Colturi nuk dëshiron të marrë pjesë në të gjitha garat e supersllallomit të madh gjatë sezonit.

“Jam tashmë e sigurt se nuk do të marr pjesë në të gjitha garat e supersllallomit të madh. Me sllallomin dhe sllallomin e madh, do të ishte shumë, ndërsa nuk dua të rrezikoj”, theksoi ajo.

Skiatorja synon të ecë gradualisht, duke e përshtatur programin e garave sipas gjendjes së saj fizike.

“Do të ecim hap pas hapi, në varësi të ndjesive të mia fizike”, përfundoi Colturi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat