Tashmë është zyrtare, Michelle Gisin (32) i ka dhënë fund karrierës së saj aktive në skijim.
Konferencën për media, të mbajtur pranë vendlindjes së saj në Engelberg, ajo e nisi me këto fjalë:
“Kjo është një ditë shumë e rëndësishme në jetën time. Do t'i jap lamtumirën sportit të skijimit”.
Vendimi kishte marrë formë gjatë muajve dhe javëve të fundit. Se kishte ardhur momenti për t'u tërhequr, ajo e kishte kuptuar përfundimisht në muajin shtator, shkruan gazeta zvicerane “Blick”.
"Gjatë javëve të fundit isha në pistën e Kupës së Botës në St. Moritz, një vend shumë i veçantë për mua. Aty gjithçka u bashkua, gjithçka mori kuptim. Në zemrën time e ndjeva se ishte mirë kështu.
Mbi të gjitha, ndjeva mirënjohje për të gjitha këto vite gjatë të cilave pata mundësinë të garoja aty”“, tha Gissin.
“Do të kërkohej ende shumë punë”
Kështu, nuk do të ketë rikthim në gara pas rrëzimit të rëndë që pësoi gjatë stërvitjes së lëshimit në St. Moritz, në dhjetorin e vitit të kaluar, kur pësoi këputje të ligamentit të kryqëzuar të gjurit, si dhe lëndime në shpatull dhe në shtyllën kurrizore.
“95 për qind e rikthimit ishte sigurisht i mundur, por për pesë për qindëshin e mbetur nuk isha aq e sigurt. Do të kërkohej ende shumë punë për t'u rikthyer”, - deklaroi Gisin.
Vetë skijimi nuk përbënte problem për të, por, siç u shpreh ajo: «Nuk isha më e gatshme për gjithë atë që e rrethon këtë sport”.
Megjithatë, gjatë periudhës së rehabilitimit, ajo kishte menduar për mundësinë e rikthimit edhe një herë në garat profesioniste.
“Gjatë rehabilitimit ishte jashtëzakonisht e rëndësishme të kisha si synim rikthimin në ski. Prandaj, brenda pak javësh bëra përparim të madh”.
Tani ajo mezi pret të shijojë skijimin pa presionin e garave, thjesht për kënaqësinë e saj.
Angazhim edhe në Kampionatin Botëror
Michelle Gisin nuk do të largohet plotësisht nga bota e skijimit.
Nga njëra anë, ajo dëshiron ta shoqërojë më shpesh bashkëshortin e saj, Luca de Aliprandini (36), në garat e tij.
Nga ana tjetër, do të jetë e angazhuar në Kampionatin Botëror në Crans-Montana, ku do të shërbejë si ambasadore. Ajo do të zhvillojë intervista në zonën e finishit dhe gjatë programeve të mbrëmjes.
Përveç kësaj, Gisin ka filluar studimet në Universitetin e Luzernit, në drejtimet Politikë, Filozofi dhe Ekonomi.
Ajo thotë se studimet i japin strukturë jetës së saj të re dhe se i pëlqejnë temat dhe ambienti universitar.
“Aty nuk ka rëndësi nëse kam qenë një skitare e shpejtë apo jo. Aty jam thjesht Michelle”, tha tha Gisin.