Lara Colturi, skiatorja që përfaqëson Shqipërinë, po bën bujë në skijimin botëror me paraqitjet e saj të shkëlqyera në Kupën e Botës.
Në dy garat e para të sezonit, në Solden dhe Levi, Colturi arriti të renditet në vendin e dytë, duke dëshmuar formën e saj të mirë dhe ambiciet për këtë sezon.
Pas këtyre rezultateve, skiatorja shqiptare ka grumbulluar 160 pikë dhe aktualisht ndan vendin e parë në renditjen e përgjithshme me gjermanen Emma Aicher.
Ndërkohë, legjenda e skijimit austriak, Marlies Raich, ka publikuar parashikimin e saj për pesë skiatoret më të mira të sezonit në disiplinën e sllallomit.
“Emma Aicher e fitoi garën hapëse të sllallomit në Levi, por ekspertja e skijimit Marlies Raich beson se Globin e Kristaltë në këtë disiplinë do ta fitojë dikush tjetër: 20-vjeçarja e Shqipërisë Lara Colturi. Në pesëshen e saj të parë është edhe një skiatore zvicerane”, shkruan media zvicerane “Blick”.
Disa tifozë ndoshta kanë menduar se gara për Kupën e Kristaltë në sllallom do të bëhej më e hapur pasi Mikaela Shiffrin njoftoi se nuk do të përqendrohej më aq shumë në këtë disiplinë.
Skiatorja amerikane 31-vjeçare mungon në dy garat e para të sezonit.
Por çfarë do të thotë kjo për garën për trofeun e sllallomit?
Në garën hapëse të sezonit në Levi të Finlandës triumfoi Emma Aicher (23) nga Gjermania. Pas kësaj fitoreje, për të u fol dhe u shkrua shumë.
Megjithatë, legjenda e skijimit dhe ekspertja e televizionit austriak ORF, Marlies Raich, nuk beson se gjermania do ta përfundojë dimrin në krye të renditjes së kësaj disipline.
Ish-skiatorja austriake, fituese e 35 garave të Kupës së Botës në sllallom, ka zbuluar për “Blick” pesë favoritet e saj.
Vendi i pestë: Camille Rast (27, Zvicër)
Camille është njëra prej skiatorëve më të mira teknikisht dhe mund të realizojë kthesa shumë të shkurtra.
Në Levi nuk ishte në nivelin e saj më të mirë, sepse ka pak vështirësi në pjesët e rrafshëta të pistës. Edhe mua më ndodhte kjo dikur, megjithëse fitova në vitet 2006 dhe 2010.
Por tani vijnë gara me karakteristika krejtësisht të ndryshme. Pista në Gurgl fillimisht është e pjerrët dhe më pas vjen pjesa e rrafshët. Prandaj, pres shumë nga Camille.
Mund ta vendosja edhe Zrinka Ljutiç në vendin e pestë, por po qëndroj te parashikimi im.
Vendi i katërt: Mikaela Shiffrin (31, SHBA)
Të shtunën pyesja veten se si do të ishte paraqitur Mikaela në atë pistë. Nuk besoj se do të ishte renditur shumë lart, sepse paraqitjet e skiatoreve të tjera ishin shumë të mira.
Pas garës në Gurgl, Shiffrin me gjasë do ta humbasë vetëm garën e sllallomit në Courchevel. Kështu, do të merrte pjesë në shtatë nga dhjetë garat e sezonit.
Meqenëse edhe skiatoret e tjera mund të kenë ndonjë garë të dobët gjatë sezonit, e vendos atë të paktën në pozitën e katërt.
Vendi i tretë: Katharina Truppe (30, Austri)
Ajo më ka lënë përshtypje shumë të mirë në fillim të sezonit. Kathi ishte e guximshme, i la skitë të rrëshqisnin dhe qëndroi në një pozicion më qendror mbi to sesa në vitet e kaluara.
Pa gabimin e madh që bëri, ndoshta do të luftonte edhe për fitoren.
Nëse arrin të përballojë psikologjikisht rolin e lideres së ekipit, ka perspektiva shumë të mira.
Vendi i dytë: Emma Aicher (23, Gjermani)
Të gjithë po flasin për Emmën, dhe me të drejtë! Ajo e ka nisur sezonin në mënyrë fantastike.
Megjithatë, është e vetmja skiatore që garon në të gjitha disiplinat. Ky është një program jashtëzakonisht i ngarkuar. Prandaj, nuk jam e sigurt nëse do të arrijë ta fitojë Kupën e Kristaltë në sllallom.
Edhe unë kam garuar në të gjitha disiplinat gjatë një sezoni dhe ia kam dalë. Por Emma është edhe më e fortë në disiplinat e shpejtësisë. Madje, besoj se aty është edhe më e mirë.
Ajo nuk e humb lehtë qetësinë, as në pistë dhe as jashtë saj. Besoj se do të arrijë ta ruajë këtë qetësi edhe tani, kur presioni mbi të është më i madh.
Në fund të fundit, Emma ka disa vite përvojë në Kupën e Botës dhe ka fituar shumë përvojë.
Vendi i parë: Lara Colturi (20 vjeçe, Shqipëri)
Dy herë e dyta, në Solden dhe Levi. Lara është në formë të shkëlqyer. Për mua, ajo është pak më konstante sesa sezonin e kaluar.
I gjithë ekipi i saj punon me shumë zgjuarsi dhe përpiqet të shmangë gabimet. Nëse ndodh ndonjë gabim, kujdeset që të mos përsëritet.
Lara tashmë ka kaluar disa vite përvojë në nivelin më të lartë, megjithëse vetëm së fundmi i mbushi 20 vjet.
Në sllallom, në fund të sezonit e shoh atë në krye të renditjes.