Lara Colturi, 20-vjeçarja me origjinë italiane që nga viti 2022 garon nën flamurin e Shqipërisë, ka fituar garën e parë në karrierën e saj në Kupën e Botës, pas gjashtë përfundimeve në vendin e dytë.
“Edhe në këtë sezon, Colturi ishte renditur e dyta në dy garat e para, në sllallomin e madh në Solden dhe në sllallom në Levi. Por në Gurgl të Austrisë, ajo arriti të bëjë hapin vendimtar drejt fitores historike.
Në këtë garë, vajza e ish-kampiones olimpike në supersllallom të madh, Daniela Ceccarelli, e përfundoi lëshimin e parë në vendin e dytë.
Në lëshimin final, fillimisht arriti t'i rezistonte sulmit të suedezes Sara Hector, përpara se të vendoste një kohë që Anna Swenn-Larsson nuk arriti ta përmirësonte”, shkruan media sllovene “Sport”.