Meillard: Është e vështirë ta pranosh këtë lëndim

Skijim

Meillard: Është e vështirë ta pranosh këtë lëndim

Më: 18 nëntor 2026 Në ora: 13:34
Kishte plane të mëdha për këtë sezon – Melanie Meillard

Në intervistën e saj të parë pas lëndimit të rëndë në gju, Mélanie Meillard shpreh zhgënjimin dhe vështirësinë për ta pranuar atë që i ka ndodhur. Sidomos për shkak të formës së shkëlqyer sportive që kishte arritur.

“Pse po më ndodh kjo mua? Kam përshtypjen se nuk më lënë kurrë të qetë.”

Nga fjalët e Melanie Meillard ndihet zhgënjimi i madh për shkak të lëndimit të rëndë në gju, të cilin e pësoi javën e kaluar gjatë stërvitjes në Levi.

Skiatorja 28-vjeçare foli për herë të parë në mënyrë të hollësishme për gazetën e kantonit Valis, “Le Nouvelliste”, lidhur me këtë goditje të radhës, e cila tashmë ia ka përfunduar sezonin.

Meillard ka pësuar këputje të ligamentit të kryqëzuar dhe lëndim të të dy meniskëve në gjurin e djathtë. Edhe në vitin 2018 ajo kishte pësuar këputje të ligamentit të kryqëzuar, por në gjurin e majtë.

Meillard shpreh keqardhje të veçantë për kohën kur ndodhi lëndimi. Ajo kishte punuar shumë për t'u kthyer në nivelin e saj të mëparshëm.

“Dhe pikërisht në momentin kur ndihesha e gatshme, gjithçka mori fund përsëri. Kjo është arsyeja pse është kaq e vështirë ta pranosh këtë lëndim.”

150 mijë mendime

Sipas fjalëve të skiatores, ajo e kishte kuptuar menjëherë seriozitetin e lëndimit në momentin e rrëzimit. Në sezonin para atij të kaluar, ajo kishte arritur tetë herë të renditej në mesin e dhjetë më të mirave.

“Ndjeva një presion të jashtëzakonshëm në gju. Rrëshqita poshtë shpatit të mbuluar me akull, nuk mund të ndalesha dhe e dija që gjithçka kishte marrë fund.”

Prandaj, pranimi i diagnozës përfundimtare ishte pothuajse më pak i rëndë sesa momenti i rrëzimit, kur nëpër kokë i kishin kaluar, siç shprehet ajo, «150 mijë mendime».

Kampionati botëror në shtëpi nuk vjen përsëri kaq shpejt

Fakti që lëndimi ndodhi pikërisht në një sezon kur Zvicra organizon Kampionatin Botëror është, sipas Meillard, “një zhgënjim i madh”.

“Garave të Kupës së Botës do të mund t'u kthehem përsëri. Të paktën shpresoj kështu dhe do të bëj gjithçka për këtë. Por një Kampionat Botëror në shtëpi nuk organizohet përsëri pas dy vjetësh.”

Ndryshe nga viti 2018, kësaj radhe ajo tashmë e njeh rrugën e rikthimit në sport.

“E di se do të jetë e vështirë. I njoh hapat që duhet t'i ndërmarr.”

Ajo nuk dëshiron të shtiret sikur çdo ditë dhe në çdo moment është me humor pozitiv, por përpiqet ta përballojë situatën në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Asnjëherë nuk kam menduar të tërhiqem”

“Do të luftoj që të rikthehem sa më e fortë që të jetë e mundur”, premtoi Meillard.

Ajo vlerësoi lart solidaritetin dhe mbështetjen që po merr nga njerëzit e afërt: familja, trajnerët dhe bashkëgarueset e saj në ekip.

“Kjo mbështetje më gëzon vërtet shumë.”

A i ka shkuar ndonjëherë në mendje që ta ndërpresë karrierën?

“Jo, absolutisht jo..

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat