Skiatorja zvicerane Michelle Gisin i ka dhënë fund karrierës së saj si sportiste profesioniste në moshën 32-vjeçare.
Pas rrëzimit të rëndë që pësoi në mesin e dhjetorit, gjatë stërvitjes së fundit për garën e lëshimit në St. Moritz, ajo vazhdoi deri në ditët e fundit përpjekjet për rikuperim, ndërsa njëkohësisht po përballej me vendimin përfundimtar rreth së ardhmes së saj sportive.
Megjithatë, fituesja e dy medaljeve të arta olimpike ka hequr dorë nga planet për rikthim në garat e skijimit.
Vendimin e bëri publik të martën paradite, në një konferencë për media në Titlis.
Michelle Gisin kishte provuar gjithçka për t'u rikthyer në gara dhe i kishte dhënë vetes kohë të mjaftueshme për rikuperim.
Për skiatoren nga Engelbergu ishte menduar edhe mundësia e rikthimit gjatë dimrit, pas Kampionatit Botëror që do të mbahet në vendin e saj, në Crans-Montana, nga 1 deri më 14 shkurt. Por ajo vendosi t'i japë fund karrierës menjëherë.
Më 26 nëntor, televizioni SRF do të transmetojë edhe një dokumentar
Ndërkaq, më 26 nëntor, televizioni SRF do të transmetojë një dokumentar në tri pjesë, me titull «Michelle Gisin: Më e fortë se rrëzimi». Dokumentari do të shfaqet në SRF1 në orën 20:10, ndërsa në të njëjtën ditë do të jetë i disponueshëm edhe në platformën Play SRF, nga ora 05:00.
Aksidenti i rëndë ia ndryshoi të ardhmen sportive
Aksidenti gjatë stërvitjes, më 11 dhjetor 2025, në pistën Corviglia, pati pasoja shumë të rënda për skiatoren zvicerane.
Ajo pësoi këputje të ligamentit të kryqëzuar dhe të ligamentit të brendshëm të gjurit, lëndime në kyçin e dorës, si dhe një dëmtim të rëndë në pjesën e qafës së shtyllës kurrizore.
Pas disa muajsh rehabilitimi, Gisin rifilloi stërvitjet në palestër dhe raportoi për përparim të vazhdueshëm në rikuperimin e saj. Kohët e fundit, ajo arriti të rikthehej edhe në borë.
Megjithatë, Michelle Gisin nuk do të garojë më në Kupën e Botës në skijim.
Në fillim të gushtit, ajo kishte shprehur ende dëshirën që karrierën ta përfundonte në pistë dhe jo në shtratin e fizioterapisë.
"Dua që vendimin ta marr mbi ski dhe të mos e përfundoj në shtratin e fizioterapisë një karrierë kaq të bukur dhe të suksesshme", kishte deklaruar ajo.
Ndërkohë, pas përvojave të muajve të fundit, Gisin arriti në përfundimin se nuk dëshiron ta vazhdojë më karrierën si skiatorе garuese. Ajo largohet nga sporti si njëra prej garueseve më të suksesshme të skijimit alpin dhe si dy herë kampione olimpike në kombinimin alpin.
Mirënjohje e madhe për vitet e karrierës
Në konferencën për media, ku njoftoi pensionimin, Gisin tha se ndien mbi të gjitha mirënjohje të madhe për vitet e kaluara në sportin profesionist.
"Jam mirënjohëse për vitet e jashtëzakonshme që kam pasur mundësinë të garoj në këtë nivel", u shpreh ajo.
Ajo pranoi se marrja e këtij vendimi ishte e vështirë emocionalisht dhe se javët e fundit kishin qenë të mbushura me emocione dhe biseda të shumta me njerëzit e saj më të afërt.
Gisin tregoi se tashmë kishte dalë përsëri në ski dhe kishte shijuar borën.
«Jam e lumtur që në të ardhmen do të mund t'i zgjedh vetë pistat dhe të skijoj aty ku kam dëshirë», deklaroi ajo.
Sipas saj, rikthimi në garat e Kupës së Botës do të kërkonte edhe një vit, në mos dy vjet të tjera përgatitje.
Kështu, Michelle Gisin e mbyll karrierën e saj të jashtëzakonshme sportive në moshën 32-vjeçare, duke lënë pas dy tituj olimpikë dhe shumë kujtime të bukura për sportdashësit.