Lara Colturi pas fitores historike: Tani skijimi alpin po bëhet gjithnjë e më i famshëm në Shqipëri
Lara Colturi ka arritur suksesin më të madh të karrierës, duke triumfuar në garën e sllallomit në kuadër të Kupës së Botës në Gurgl të Austrisë.
Skiatorja 20-vjeçare, e cila përfaqëson Shqipërinë, siguroi fitoren e parë në karrierën e saj në Kupën e Botës, duke i dhuruar njëkohësisht Shqipërisë triumfin e parë historik në këtë nivel të skijimit.
Colturi e përfundoi garën me kohën e përgjithshme prej 1 minutë e 45.47 sekonda, duke lënë pas suedezen Sara Hector, e cila u rendit e dyta me 0.27 sekonda më shumë.
Pas triumfit historik, Colturi nuk e fshehu gëzimin, duke theksuar se suksesi i saj po ndihmon edhe në popullarizimin e skijimit në Shqipëri.
"Jam jashtëzakonisht e lumtur. Tani skijimi alpin po bëhet gjithnjë e më i famshëm në Shqipëri falë meje. Kjo është e çmendur. Gjithnjë e më shumë njerëz po e ndjekin, ndonëse nuk është një pjesë e madhe e kulturës së tyre. Prandaj, kjo është një arritje e madhe", deklaroi Colturi për “Reuters”.