Lucas Pinheiro Braathen është fituesi i garës së parë për meshkuj në sezonin e ri të Kupës së Botës në skijimin alpin, sllallomit të madh në Solden të Austrisë.
Skiatori që përfaqëson Brazilin përfundoi në vendin e parë me kohën 1:44.72 minuta, duke qenë 48 të qindtat e sekondës më i shpejtë se zvicerani Loïc Meillard, i cili u rendit i dyti.
Në vendin e tretë përfundoi zvicerani tjetër, Marco Odermatt, me 49 të qindtat e sekondës më shumë se fituesi.
“Paralajmërimet se Braathen ishte shumë i shpejtë në stërvitje dolën të vërteta. Po ashtu, nuk ishin fjalë boshe deklaratat e tij se këtë sezon dëshiron ta sfidojë Marco Odermattin dhe të luftojë për Globin e Madh të Kristaltë”, shkruan mediumi slloven “Sport”.
Për 26-vjeçarin Braathen, kjo është fitorja e nëntë në karrierën e tij në Kupën e Botës dhe e dyta në Solden. Kur fitoi këtu për herë të parë, në vitin 2020, ai garonte ende për Norvegjinë.
Në atë kohë, Braathen kishte shënuar edhe fitoren e parë të karrierës së tij në Kupën e Botës.
Amerikani River Radamus befasoi me paraqitjen e tij, duke përfunduar në vendin e katërt.
Rezultatet
1. Lucas Pinheiro Braathen (Brazili) 1:44.72
2. Loic Meillard (Zvicra) +0.48
3. Marco Odermatt (Zvicra) +0.49
4. River Radamus (SHBA) +0.82
5. Raphael Haaser (Austria) +0.86
6. Fabian Gratz (Gjermania) +0.95
7. Alex Vinatzer (Italia) +1.08
8. Eirik Solberg (Norvegjia) +1.09
9. Leo Anguenot (Franca) +1.10
10. Patrick Feurstein (Austria) +1.11