Në Gurgl të Austrisë u zhvillua gara e dytë e sllallomit për këtë sezon të Kupës së Botës në skijim.
Skiatori norvegjez Timon Haugan triumfoi me kohën 1:42.55 minuta, duke qenë 60 të qindtat e sekondës më i shpejtë se bashkëkombësi i tij Eirik Solberg.
Zvicerani Tanguy Nef u rendit në vendin e tretë, me 88 të qindtat e sekondës më shumë se fituesi i garës.
Në lëshimin e parë, Haugan ishte vetëm një të qindtën e sekondës më i shpejtë se bashkëkombësi i tij Atle Lie McGrath, i cili kishte hapur garën në pistën austriake. Në vendin e tretë ishte renditur belgu Armand Marchant, me 44 të qindtat e sekondës më shumë.
Në lëshimin final, në skenë doli edhe një norvegjez tjetër, Solberg, i cili me një paraqitje pothuajse të përsosur, sidomos në pjesën e poshtme të pistës, vendosi një kohë të vështirë për t'u arritur nga rivalët.
Skiatorët që pasuan njëri pas tjetrit nuk arritën ta mposhtnin kohën e tij dhe filluan të humbnin shanset për podium.
Pas paraqitjes së dobët të Marchantit, u bë e qartë se fitorja do t'i takonte një norvegjezi. Pyetja e vetme ishte se cili prej tyre do të triumfonte.
Fillimisht në pistë zbriti McGrath, por një gabim që e detyroi të kalonte mbi një shtyllë shënuese i shkatërroi shpresat për fitore, madje edhe për një triumf të trefishtë norvegjez. I zemëruar, ai i hodhi shkopinjtë e skijimit përtej rrethojës.
Kështu, vetëm një skiator mund ta ndalte Solbergun: Timon Haugan. Norvegjezi 29-vjeçar e kreu detyrën në mënyrë të shkëlqyer. Edhe pse epërsia e tij prej më shumë se një sekonde u zvogëlua gjatë zbritjes, ajo ishte e mjaftueshme për të siguruar fitoren me gjashtë të dhjetat e sekondës epërsi.
“Jam shumë i lumtur. Kjo fitore është padyshim diçka e veçantë, veçanërisht pas të gjitha vështirësive që pata gjatë përgatitjeve për sezonin e ri.
Është fantastike të rikthehem te fitoret pas paraqitjes vërtet të dobët në Levi”, deklaroi Haugan në përfundim të garës.
Pas garave në Austri, garat e Kupës së Botës zhvendoset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku javën e ardhshme në Copper Mountain do të zhvillohen garat e supersllallomin të madh dhe sllallomit.
Më pas do të vijë gara e parë e lëshimit për këtë sezon, në Beaver Creek.
Renditja
1. Timon Haugan (Norvegjia) 1:42.55
2. Eirik Solberg (Norvegjia) +0.60
3. Tanguy Nef (Zvicra) +0.88
4. Armand Marchant (Belgjika) +1.00
5. Michael Matt (Austria) +1.11
6. Fabian Ax Swartz (Suedia) +1.26
6. Samuel Kolega (Kroacia) +1.26
8. Laurie Taylor (Britaia e Madhe) +1.47
9. Jett Seymour (SHBA) +1.50
10. Steven Amiez (Franca) +1.54