Skiatorja amerikane Paula Moltzan, në moshën 32-vjeçare, ka arritur fitoren e saj të parë në Kupën e Botës në skijim, duke triumfuar në garën e sllallomit të madh në Solden të Austrisë.
Moltzan siguroi vendin e parë me kohën 2:14.82 minuta, duke lënë pas për vetëm një të qindtën e sekondës skiatoren që përfaqëson Shqipërinë, Lara Colturin.
Skiatores së Shqipërisë i mungoi vetëm pak fat për ta fituar garën, që do të shënonte triumfin e saj të parë në disiplinën e sllallomit të madh në Kupën e Botës.

Lara Culturi feston vendin e dytë
Një paraqitje të shkëlqyer pati edhe Emma Aicher, e cila përfundoi në vendin e tretë, me një diferencë prej 52 të qindtash nga fituesja.
Për të, ky ishte podiumi i parë në disiplinën e sllallomit të madh në Kupën e Botës.
Në lëshimin e dytë, kushtet e garës u përkeqësuan ndjeshëm, duke ndikuar edhe në renditjen përfundimtare të garueseve që kryesonin pas lëshimit të parë.
Mikaela Shiffrin, e cila synonte fitoren e saj të parë në sllallomin e madh pas gati tre vjetësh, nga vendi i parë pas lëshimit të parë përfundoi në pozitën e shtatë.
Sara Hector, e cila ishte e dyta pas lëshimit të parë, e mbylli garën në vendin e katërt, ndërsa Camille Rast, nga pozita e tretë, përfundoi në vendin e gjashtë.
Renditja
1. Paula Moltzan (SHBA) 2:14.82
2. Lara Colturi (Shqipëria) +0.01
3. Emma Aicher (Gjermania) +0.52
4. Sara Hector (Suedia)+0.63
5. Asja Zenere (Italia) +0.72
6. Camille Rast (Zvicra) +0.81
7. Mikaela Shiffrin (SHBA) +0.83
8. Alice Robinson (Zelanda e Re) +1.01
9. Maryna Gasienica Daniel (Polonia) +1.12
9. Franziska Gritsch (Austria) +1.12