Kastriot Orana: “Prishtina Open” rikthehet për të tretin vit, do të marrin pjesë lojtarë nga Anglia, Turqia, Greqia...

Sporti

Kastriot Orana: “Prishtina Open” rikthehet për të tretin vit, do të marrin pjesë lojtarë nga Anglia, Turqia, Greqia...

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 14 qershor 2025 Në ora: 20:43
Kastriot Orana

Turneu ndërkombëtar “Prishtina Open” është një imazh i jashtëzakonshëm për shtetin e Kosovës.

Pak ditë na ndajnë nga turneu ndërkombëtar, që pritet të jetë ashtu siç i ka hije.

Nga data 20 deri më 22 qershor do të mbahet kjo ngjarje e madhe në kryeqytetin e Kosovës përkatësisht në Qendrën e Rinisë dhe Sportit. 

Image

Kastriot Orana

Kryetari i klubit të pingpongut Priping nga Prishtina, Kastriot Orana, tha se do të marrin pjesë garues nga shumë shtete të njohura nga Kontinentet e ndryshme.

“Bota sot”: Prapë në kryeqytet gara e madhe ndërkombëtare “Prishtina Open”, një sfidë tjetër?

Kastriot Orana: Po, “Prishtina Open” apo e njohur edhe si POTTIT po rikthehet për të tretin vit radhazi në kryeqytet, dhe pa dyshim që mbetet një sfidë, por njëkohësisht një krenari për ne si organizatorë.

Është bërë një turne që tashmë ka bërë jehonë në rajon dhe me gjerë dhe është fut në kalendarin ndërkombëtar të pingpongut, dhe për ne është detyrë e vazhdueshme që çdo vit ta ngrisim nivelin e organizimit dhe të mikpritjes.

“Bota sot” Sa është vështirë të organizohet ky aktivitet?

Kastriot Orana: Është shumë sfiduese, sepse kemi të bëjmë me mbi 250 pingpongistë nga më shumë se 25 shtete, me logjistikë komplekse, komunikim ndërkombëtar, akomodim, transport dhe orare të ngjeshura të garave.

Por falë një ekipi të përkushtuar në klubin tonë dhe përvojës që kemi fituar këto vite dhe bashkëpunimit me Federaten e partnerë të ndryshëm, po ia dalim me sukses.

“Bota sot”: Çfarë prisni nga pingpongistët tanë?

Kastriot Orana: Presim që të japin më të mirën nga vetja dhe të përfitojnë maksimalisht nga kjo përvojë ndërkombëtare. Është një mundësi e shkëlqyer për të matur veten me lojtarë nga e gjithë bota dhe për të kuptuar se ku jemi si vend në këtë sport.

“Bota sot”: A mendoni se do të kemi ndonjë befasi nga garuesit tanë?

Kastriot Orana: Pse jo? Kemi disa të rinj premtues që po tregojnë përparim të madh dhe nuk përjashtohet mundësia e një surprize të këndshme në ndonjë kategori, veçanërisht tek grupmoshat e reja U-11 dhe U-13, por jo vetëm.

“Bota sot”: Financiarisht si qëndroni, për faktin se ky turne ka çmimin e vet?

Kastriot Orana: Është sfiduese edhe në aspektin financiar. Një turne i tillë kërkon mbështetje serioze, por për fat të mirë kemi disa sponsorë dhe partnerë që na besojnë dhe na mbështesin çdo vit. Me ketë rast dua ta falënderoj Departamentin e Sportit në

Prishtinë për përkrahjen e vazhdueshme si dhe kompanitë IPKO, NLB, Alba Qeramika e të tjerë të cilët po perkrahin jo vetem ketë turne por edhe aktivtetet tjera të klubit gjatë vitit. 

“Bota sot”: Cilat shtete iu kanë befasuar me pjesëmarrje?

Kastriot Orana: Këtë vit kemi pasur befasi të këndshme, ku kemi paraqitje nga Brazili, nga Kolumbia, kemi shume lojtarë nga Anglia, Turqia dhe Greqia.

Nuk është e zakonshme që në një turne në Kosovë të kemi kaq shumë kontinente të përfaqësuara, dhe kjo tregon reputacionin që “Prishtina Open” po ndërton ndërkombëtarisht.

“Bota sot”: Çfarë prisni nga kjo garë e madhe, do të jetë një panoramë e mirë për shtetin tonë?

Kastriot Orana: Absolutisht. Ky turne nuk është vetëm sport, por edhe diplomaci sportive, promovim kulturor dhe turizëm sportiv. Prishtina dhe Kosova po bëhen gjithnjë e më shumë një destinacion i njohur për evente të tilla, dhe kjo garë është një dritare që i tregon botës një imazh pozitiv të vendit tonë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat