Në Kontinentin e Vjetër, përveç në futboll, shqiptarët po shkëlqejnë edhe në sporte të tjera.
Një talent i ri që po vjen me hapa të sigurt është Dris Sejdiu në sportin e shenjëtarisë.
Sejdiu ka dëshmuar talentin e tij, duke u përzgjedhur në programin zhvillimor të British Shooting dhe duke fituar titullin kampion në rajonin North West.
I riu, i cili është vetëm 14 vjeç, ka një karrierë të ndritur përpara në shenjëtari.
Suksesi i tij më i madh deri tani është kualifikimi në finalen kombëtare të British Shooting Schools Championships 2026, një nga garat më prestigjioze shkollore të qitjes sportive në Mbretërinë e Bashkuar.
Në këtë garë morën pjesë rreth 220 garues në disiplinën e pistoletës dhe 160 në pushkë, ndërsa vetëm më të mirët nga mbi 1,000 pjesëmarrës në fazat rajonale siguruan një vend në finale.
Drisi tregoi saktësi të lartë në disiplinën e pushkës ajrore 10 metra, ku u rendit i pesti – rezultat që i siguroi pjesëmarrjen në finale në një konkurrencë të fortë kombëtare.
Ai mban titullin kampion për rajonin North West dhe është gjithashtu kampion në klubin e tij, duke konfirmuar potencialin e madh që premton për të ardhmen.