Asllani e Avdullahu priten titullarë, Hoffenheimi kërkon fitoren ndaj Augsburgut të dielën

Sporti

Asllani e Avdullahu priten titullarë, Hoffenheimi kërkon fitoren ndaj Augsburgut të dielën

Nga: Bota sot Më: 27 nëntor 2026 Në ora: 17:22
Asllani pritet të nisë titullar ndaj Augsburgut.

Fisnik Asllani dhe Leon Avdullahu priten të nisin si titullarë te Hoffenheimi të dielën, kur skuadra e Sinsheimit pret Augsburgun në xhiron e 11-të të Bundesligës. Ndeshja luhet në orën 17:30 (ora e Zürichut).

Sipas formacionit të pritshëm të publikuar nga Bundesliga.com, trajneri Christian Ilzer do ta vendosë Avdullahun në mesfushë, krah Wouter Burgerit, ndërsa Asllani pritet të luajë në vijën e tre mesfushorëve sulmues, mes Bambasé Contés dhe Alexander Prass, pas sulmuesit Tim Lemperle.

Të dyja skuadrat arrijnë në këtë takim me nga 12 pikë. Hoffenheimi është i 11-ti, me katër fitore dhe gjashtë humbje në dhjetë ndeshje, ndërsa Augsburgu është i 10-ti, me tri fitore, tri barazime dhe katër humbje. Diferenca e golave i jep avantazh Augsburgut (+2, ndaj -2 për Hoffenheimin), kështu që fitorja e së dielës mund ta ndryshojë renditjen mes tyre.

Image
Avdullahu, mesfushor i Hoffenheimit dhe i kombëtares së Kosovës.

Hoffenheimi vjen nga fitorja 3:1 ndaj Sturm Grazit në Ligën e Evropës të enjten, ku të dy lojtarët e kombëtares së Kosovës nisën titullarë. Për ndeshjen e së dielës mungojnë Hajdari (shputa e këmbës), Hranac (gjuri), De Cat (gjuri) dhe Gendrey (këmba e thyer), ndërsa Kabak është i pezulluar.

Augsburgu, i drejtuar nga Manuel Baum, pritet të nisë me Dahmenin në portë dhe Gregoritschin në sulm; jashtë janë Banks dhe Matsima, ndërsa Gouweleeuw dhe Massengo janë në dyshim. Në skuadrën e tij luan edhe Arijon Ibrahimoviq, 20-vjeçari i lindur në Nürnberg me prindër nga Prizreni, që Bayerni ia huazoi Augsburgut për një sezon. Ai nuk figuron në formacionin e pritshëm të Bundesliga.com.

Image
Ibrahimoviq luan me hua te Augsburgu nga Bayerni
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat