Kastrioti – Besa Famgas është kryendeshja e xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Kjo ndeshje luhet të shtunën prej orës 19:00 në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.
Bëhet fjalë për dy prej skuadrave kryesore në vendin tonë, që pritet të jenë pjesë e garës për trofe.
Kampioni në fuqi, Kastrioti, llogarit edhe në përkrahjen e shikuesve. Kastrioti është i katërti me 10 pikë. Ndërkohë Besa Famgas është lidere me 14 pikë.
Në kuadër të xhiros së tretë, Besa Famgas e kishte mposhtur Kastriotin në Pejë me rezultat 29:28. Ndeshje dramatike pritet edhe të shtunën mbrëma.
Dy ndeshjet tjera të xhiros së dhjetë janë të dielën. Prej orës 17:00 takohen Rahoveci e Prishtina, kurse nga ora 18:00 është takimi mes Deçanit e Llapit.
Në Ligën e Parë të hendbollisteve luhet xhiroja e nëntë.
Të gjitha ndeshjet janë të dielën: Prizreni – Vushtrria (11:30), Vëllaznimi – Trepça (11:30), Vjosa – CLICK (15:00), KEK-u – Dukagjini (12:00).