Në Killington këtë fundjavë janë planifikuar garat e sllallomit të madh dhe sllallomit, por paraqitja e kushteve të pistës dhe çështjet e sigurisë kanë ngritur shqetësime te skiatoret.
Skiatoret e disiplinave teknike nuk patën shumë kohë për t'u rikuperuar nga gara e sllallomit në Gurgl, e zhvilluar të shtunën e kaluar.
Përfaqësueset e Zvicrës u nisën që të hënën drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për t'u përgatitur për dy garat e kësaj fundjave në Killington.
Shqetësime për sigurinë në pistë
Në qendrën e skijimit në shtetin amerikan të Vermontit ka ende mjaftueshëm borë për zhvillimin e garave. Megjithatë, kushtet për skiatorët nuk janë aspak ideale.
Camille Rast ka shprehur shqetësime të qarta për sigurinë para garave.
“Na kërkohet të zbresim sa më shpejt në një pistë që më parë nuk kemi pasur mundësi ta testojmë. Kjo më duket mjaft problematike”, deklaroi skiatorja zvicerane.
Sipas planit aktual, organizatorët kanë paraparë vetëm inspektimin e pistës para garës, ndërsa një lloj nxehjeje apo stërvitjeje në të njëjtën pistë ende nuk është parashikuar.
Rast shpreson që në momentet e fundit të gjendet një zgjidhje dhe të bëhen ndryshime në organizim.
Mungesa e borës gjatë javës gjithashtu ua pamundësoi skiatoreve zhvillimin e stërvitjeve në Killington. Për këtë arsye, ekipi zviceran u detyrua të zhvendosej në Waterville Valley, rreth 150 kilometra larg, me një udhëtim prej afërsisht dy orësh me veturë.
Pavarësisht vështirësive logjistike, Wendy Holdener e vlerësoi pozitivisht këtë përvojë.
“Më erdhi mirë që pata mundësinë të shoh një vend të ri për stërvitje”, u shpreh skiatorja zvicerane.
Kujtime të bukura nga Killington
Si Holdener, ashtu edhe Rast shpresojnë që kushtet atmosferike të lejojnë zhvillimin normal të garave. Për të shtunën, kur është në program sllallomi gjigant, parashikohet edhe shi.
Megjithatë, dy skiatoret kryesore zvicerane kanë kujtime të jashtëzakonshme nga Killingtoni.
27 nëntor 2022: Wendy Holdener fitoi për herë të parë një garë të Kupës së Botës në sllallom, duke ndarë vendin e parë me suedezen Anna Swenn-Larsson.
1 dhjetor 2024: Camille Rast triumfoi në sllallom, përpara Wendy Holdener, duke regjistruar fitoren e saj të parë në Kupën e Botës.
Festën e këtij suksesi zvicerania e bëri me një kërcim në pishinë.
Rast shkëlqeu edhe në paraqitjen e fundit të Kupës së Botës në Killington, dy vjet më parë, kur përfundoi në vendin e tretë në sllallomin gjigant.
Ndërkohë, Holdener ka arritur të ngjitet gjithsej pesë herë në podium në këtë qendër skijimi.
Synimi është rikthimi te rezultatet pozitive
Një tjetër rezultat i mirë në pistën “Superstar”, siç quhet pista e garave në Killington, do të ishte shumë i mirëpritur për të dyja skiatoret zvicerane.
Camille Rast ende nuk ka arritur të zhvillojë një garë pa gabime në këtë fillim të sezonit dhe deri më tani ka mbetur jashtë podiumit.
E njëjta situatë vlen edhe për Wendy Holdener. Në garën e fundit në Gurgl, ajo ishte në rrugë të mirë drejt një rezultati të shkëlqyer dhe kishte kohën më të shpejtë, por gaboi duke kaluar gabimisht mes portave dhe u detyrua ta përfundonte garën para kohe.
Tashmë, të dyja shpresojnë që Killingtoni t'u sjellë sërish emocione pozitive dhe rezultate të mira, ashtu si në edicionet e kaluara.