Organizatorët Wimbledonit kanë njoftuar një rritje të konsiderueshme të fondit të shpërblimeve për turneun e këtij viti, i cili do të arrijë në rreth 75.6 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 20 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Rritja prej më shumë se 10 milionë eurosh nga fondi i kaluar prej rreth 63 milionë euro vjen pas presionit të ushtruar nga tenistët dhe tenistet më të njohura në botë, të cilët kishin shprehur pakënaqësi për nivelin e shpërblimeve.
Pakënaqësia e lojtarëve kulmoi gjatë Roland Garros, ku ata kufizuan angazhimet mediatike para turneut në vetëm 15 minuta, si shenjë proteste. Për këtë arsye, vendimi i organizatorëve të Wimbledonit konsiderohet si një fitore për lojtarët.
Fituesit e këtij viti, si në konkurrencën e meshkujve ashtu edhe të femrave, do të fitojnë nga rreth 4.2 milionë euro, krahasuar me 3.5 milionë euro vitin e kaluar. Edhe shpërblimi për eliminimin në rundin e parë është rritur në rreth 94 mijë euro.
Për krahasim, Australian Open këtë vit kishte rritur fondin e shpërblimeve me 16 për qind, ndërsa US Open vitin e kaluar me 20 për qind – nivel që tashmë e ka arritur edhe Wimbledoni.