Kombëtarja e Kroacisë në basketboll është kualifikuar në Kampionatin Botëror 2027, i cili do të mbahet në Katar. Skuadra e drejtuar nga përzgjedhësi Tomisllav Mijatoviq mposhti Poloninë me rezultat 80:69, në ndeshjen e zhvilluar në Gliwice.
Meqenëse Gjermania më herët kishte mposhtur Letoninë me rezultat 78:76, basketbollistët kroatë, tri xhiro para përfundimit të kualifikimeve, siguruan pjesëmarrjen në Botëror.
Mbrojtja ishte çelësi i kësaj fitoreje, por nuk mungoi as kontributi në sulm, ku veçanërisht u dallua Danko Brankoviq me 17 pikë dhe tetë kërcime. Luka Bozhiq shënoi 13 pikë, ndërsa Jaleen Smith 12. Kapiteni i kombëtares, Dario Shariq, regjistroi 11 pikë, 12 kërcime dhe gjashtë asistime.
Te Polonia, koshashënuesi më i mirë ishte Jerrick Harding me 19 pikë, ndërsa Mateusz Ponitka realizoi 18.
Në gjysmën e raundit të dytë të kualifikimeve, Kroacia kryeson Grupin K me bilanc prej tetë fitoresh dhe një humbjeje (8-1), aq sa ka edhe Gjermania, e cila renditet në vendin e dytë. Në pozitën e tretë është Polonia me bilanc 7-2.
Këto tri kombëtare, tri xhiro para përfundimit të kualifikimeve, kanë siguruar pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror. Ndërkohë, jashtë Botërorit kanë mbetur Letonia (4-5), Izraeli (3-6) dhe Holanda (2-7).
Kroacia siguroi pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror, duke u rikthyer në këtë garë për herë të parë që nga viti 2014.
Në këtë dritare kualifikuese, Kroacia do të zhvillojë edhe një ndeshje tjetër, të hënën, më 30 nëntor, në orën 20:00, kur në palestrën “KC Drazhen Petroviq“ në Zagreb do të presë Holandën.