Ish-ylli i reality-show-t Geordie Shore, Vicky Pattison, raportohet se është gati t’i bashkohet kastit të sezonit të ri të “Strictly Come Dancing”, një prej spektakleve më të ndjekura televizive në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas mediave britanike, Pattison ka impresionuar shefat e BBC-së gjatë audicioneve, duke fituar menjëherë simpatinë e tyre jo vetëm me karizmën e saj, por edhe me angazhimin serioz për të qenë pjesë e garës së vallëzimit.
Burime pranë produksionit kanë deklaruar se ajo ka qenë në “radar” prej kohësh, ndërsa këtë herë, duket se momenti i saj ka ardhur. “Vicky tregoi se ka dëshirë të madhe për të mësuar dhe për t'u sfiduar, dhe kjo është pikërisht ajo që kërkojmë nga konkurrentët tanë”, citohet të ketë thënë një burim i brendshëm për The Sun.
Vicky Pattison, e njohur për natyrën e saj energjike dhe përfshirjen në disa reality shows të njohura si I'm a Celebrity... Get Me Out of Here! dhe Celebrity MasterChef, pritet të sjellë sharm, humor dhe spontanitet në pistën e famshme të “Strictly”.
Lista zyrtare e pjesëmarrësve për sezonin e ri ende nuk është publikuar, por nëse konfirmohet, Pattison do t’i bashkohet një grupi të larmishëm personalitetesh publike në garën për kurorën e vallëzimit.