Gjermani/ Goditet mafia e kokainës, në mesin e të dyshuarve edhe shtetas shqiptarë

Diaspora

Gjermani/ Goditet mafia e kokainës, në mesin e të dyshuarve edhe shtetas shqiptarë

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 15:21
Policia gjermane ka mbyllur një operacion njëvjeçar kundër trafikimit të kokainës nga Amerika Jugor

Një bandë e trafikimit të kokainës nga Amerika e Jugut, mes tyre edhe anëtarë shqiptarë, është goditur nga policia në Gjermani. Grupi dyshohet se ka sjellë mbi dy tonë kokainë në Europë.

Policia gjermane ka mbyllur një operacion njëvjeçar kundër trafikimit të kokainës nga Amerika Jugore, duke vënë në pranga edhe shtetas shqiptarë mes shumë të tjerëve.

Të paktën 20 të dyshuar u shoqëruan të martën pas bastisjes së dhjetëra apartamenteve në veri të Gjermanisë nga gati 500 forca policie dhe zyrtarë doganash të Hamburgut.

Personat e moshës 19 deri 58 vjeç vinin nga Gjermania, Shqipëria, Serbia, Kroacia, nga Lindja e Mesme dhe Afrika.

Ata dyshohen për importimin e mbi dy tonëve kokainë në Gjermani dhe Europë.

Droga transportohej nëpërmjet detit nga vendet amerikanojugore, si Ekuadori, duke u fshehur në xhepa të sajuar të kontejnerëve apo në kuti me banane e oriz.

“Dyshemeja e kontejnerëve modifikohej për të mbajtur sasinë e narkotikëve. Besohet se grupi mund të ketë sjellë në Gjermani mbi 381 kilogramë kokainë në këtë mënyrë,” tregon zëdhënësi i policisë, Holger Fehren.

Autoritetet hetimore ranë në gjurmët e grupit të trafikantëve për shkak të dokumenteve të falsifikuara në lidhje me përmbajtjen e kontejnerëve, dhe nga një episod i muajit prill, kur nga pazaret e drogës dyshohet se dy persona mbetën të plagosur me armë zjarri.

Kontejnerët me lëndën narkotike u lokalizuan në një magazinë.

“Të dyshuarit duhet të kenë pasur ndihmën e një personi tjetër që ishte në dijeni të proceseve logjistike në Portin e Hamburgut,” tregon zëdhënësi i policisë.

Në fundin e qershorit të këtij, të dyshuarit morën edhe 1,2 ton kokainë nga një kontejner me oriz në portin e Hamburgut, ndërkohë që në korrik, autoritetet londineze konfiskuan 380 kilogramë kokainë të fshehur në një kontejner që po ashtu kishte për destinacion portin e Hamburgut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat