Një 16 vjeçar me prejardhje nga Kosova është liruar nga paraburgimi nga autoritetet austriake të marten pasdite.
Ai dyshohej se kishte marrë pjesë në sulmin terrorist të Vjenës, ku vdiqën katër persona dhe u plagosën 23 të tjerë.
I mituri nga Kosova jo vetëm që dyshohej se ishte pjesëtar i grupit ISIS, por se ishte edhe vetë pjesëmarrës në sulmet në kryeqytetin austriak.
Kosovari nuk kishte pranuar ta jepte kodin e tij të telefonit as para hetuesve të Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës që konsiderohet si Shërbimi Sekret Austriak.
Kodi nuk është arritur të zhbllokohet as me ndihmën e EUROPOL-it dhe kështu nuk u arrit të vërtetohet se ai ishte i përfshirë në ndonjë nga pretendimet e lartëcekura, raporton gazeta austriake “Die Presse”.
Kështu thuhet në një vendim të ri të një senati të përbërë nga tre gjyqtarë të Gjykatës së Lartë Rajonale në Vjenë.
“Pavarësisht dyshimeve, dhe moszhbllokimit të celularit, njoftojmë se gjatë hetimit nuk u konfirmua dhe as nuk u vërtetua përfshirja e tij në ndonjë mënyrë në atentatin e Vjenës më 2 nëntor 2020”.
Por, edhe pse situata është kthyer në favor të të riut, tani ai duhet të ndjekë disa nga udhëzimet e organeve të drejtësisë atje.
Përfaqësuesi i tij ligjor, Philipp Wolm, thekson se dyshimi i përfshirjes në terrorin e Vjenës tashmë është jashtë tryezës derisa 16 vjeçari do të duhet të jetojë me prindërit e tij në Vjenë në të ardhmen.
Kontakti me vëllain e tij, i cili poashtu dyshohet se është pjesë e organizatave islamike, apo vizita në xhami i lejohet vetëm në prani të mbikëqyrëseve nga Qendra e Këshillimit për Ekstremizmin. Ai duhet të jetë i pranishëm sa herë që të ftohet nga prokuroria, raporton “Die Presse”.
Qendra e Këshillave për Ekstremizëm ka konfirmuar përshtypjen e përgjithshme që prindërit e të rinjve kanë vendosur qëndrime liberale, nuk janë të dukshëm në qasjen e tyre fetare, hedhin poshtë rreptësisht tendencat drejt radikalizmit të djemve të tyre dhe janë bashkëpunues dhe shfaqen të gatshëm të pranojnë çdo mbështetje në mënyrë që t’u kundërvihen ideve të tilla të të akuzuarit.
Sulmi terrorist në Vjenë ndodhi më 2 nëntor 2020 e ku mbetën të vdekur katër persona dhe u plagosën 23 të tjerë.
Autori i sulmit është shtetasi austro-maqedonas me rrënjë shqiptare, F.K, 20 vjeç i cili u vra nga policia.