Trafik droge prej 1 milion eurosh/ Arrestohen dy shqiptarët, ja si tentuan t’i ikin policisë italiane

Diaspora

Trafik droge prej 1 milion eurosh/ Arrestohen dy shqiptarët, ja si tentuan t’i ikin policisë italiane

Më: 5 prill 2022 Në ora: 19:07
Foto ilustrim

Policia italiane e Vicenzës ka vendosur në pranga dy shqiptarë të cilët akuzohen për trafik të lëndëve narkotike, kryesisht kokainë, hashash dhe marijuanë. Njëri prej tyre merrej edhe me tregtimin e makinave në Itali, i quajtur Ahmet Balla, 43 vjeç, me vendbanim në Vicenza dhe tjetri, Mario Negoi, 30 vjeç.

Ata akuzohen nga drejtësia italiane për trafikimin e 20 kilogramëve drogë përfshirë marijuanë, hashash dhe kokainë. Të dy shqiptarët u kapën teksa ishin bërë gati për të shitur lëndët narkotike. Fitimi që do të nxirrnin nga shitja do të kapte shifrën një milion euro. Por arrestimi i tyre nuk ishte aq i lehtë për policinë italiane.

Teksa janë pikasur duke udhëtuar me makinë dhe se posedonin lëndët narkotike, policia italiane u ka bërë shenjë që të ndalojnë, por ata i kanë dhënë edhe më shumë shpejtësi makinës, duke tentuar të largohen nëpër rrugët e Vicenzës.

Më pas kanë kanë hyrë në autostradë dhe kanë kërcyer mbi bordurë duke marrë kryqëzimin Montebello Vicentino. Por aventura e tyre ka zgjatur fare pak, pasi janë ndalur nga një patrullë tjetër policie, e cila arriti të ndalojë dhe arrestojë fillimisht drejtuesin e mjetit Negoi, ndërsa pasagjeri u arratis në këmbë.

Pas kontrollit të makinës u gjet një qese me rreth 12 kilogramë marijuanë dhe hashash. Më pas policia ka nisur kontrollin në shtëpinë e 43 vjeçarit Balla, në Strada Biron di Sopra në Vicenza, nga ku ishte parë me dy persona duke dalë nga makina, shkruajnë mediat italiane. 

Me qentë anti-drogë, policia shoshitën gjithë shtëpinë duke gjetur të fshehur në disa pjesë të shtëpisë një sasi shtesë lënde narkotike prej 7 kilogramë kokainë dhe një kilogram marihuanë, së bashku me materialin e ambalazhimit të drogës, lëndën prerëse, pajisjet e ambalazhimi me vakum dhe para të gatshme, rreth 14 mijë euro dhe 4 mijë franga zvicerane.

Gjithashtu, në shtëpi është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë Beretta me karikator dhe 12 fishekë, e cila ishte vjedhur në një shtëpi në Vicenza në fillim të vitit 2021. Mbi dy shqiptarët rëndon akuza e trafikut të drogës dhe armëmbajtjes pa leje si dhe ajo e sendeve të vjedhura ndaj një shqiptari tjetër.  Hetimet janë ende në vazhdim, përfshirë edhe bashkëpunëtorin e 30-vjeçarit shqiptar i cili iu arratis policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat