Portreti i një familjeje mërgimtare nga Kosova, Elezi më 1969 erdhi i pari sot janë 111 veta/ Bileta për në kurbet është një drejtimëshe

Diaspora

Portreti i një familjeje mërgimtare nga Kosova, Elezi më 1969 erdhi i pari sot janë 111 veta/ Bileta për në kurbet është një drejtimëshe

Nga: Ferid Shehu Më: 6 prill 2022 Në ora: 17:52
Autori me familjen Zeneli në raste të ndryshme

Franca në maj 1999 i mori 6500 mërgimtarë nga Kosova në mënyrë të organizuar. Në atë kohë ishin tre mijë shqiptarë që jetonin në Francë, të ardhur kryesisht nga ish Jugosllavia. Qeveria shqiptare ne vitin 2004 ka evidentuar 2000 qytetarë nga Shqiperia që jetojnë në Francë. Mërgata dhe NATO bënë shumë për Kosovën por Kosova sa është mirënjohëse ?

Mërgime për arsye sociale ekonomike ne vitet 1960 dhe 1970, u bënë nga ish Jugosllavia si edhe nga Kosova, sikur ishte edhe rasti i familjes Zeneli nga Kaçaniku. Këso familje ka me mijëra ne mërgim, por unë duke u nisur nga metoda tipologjike ne sociologji e mora me prezantuar portretin e kësaj familje mërgimtare meqenëse jam dëshmitar i rrugëtimit jetësor te tyre, pra 52 vite ne mergim. Pra jam bazuar edhe ne metodën sociologjike te observacionit direkt ne hartimin e këtij shkrimi. Nuk kam lidhje familjare me ata, pos faktit se disa fëmijë te tyre i kam patur nxënës në shkollën e mesme ne Kaçanik dhe me të ndjerën Nanen Miside kemi punuar bashke në Shoqatën për Kthimin e Shqiptareve te Shpërngulur dhe ne LDK .

Bileta për mërgim shumicën e rasteve është një drejtimesh

Nuk thuhet kot :"se dihet kur njeriu del në kurbet, por jo edhe kur kthehesh", këtë e dëshmojnë shume familje dhe individ, sikur edhe portreti i familjes qe po e paraqesim neve. Filozofi antik Seneka thoshte se " jeta ne mërgim është mbajtje zi për njerëzit e gjallë"

Në Francë dy mërgimtarët e pare nga Kaçaniku janë Nuhi Koraqi dhe Dan Amet Raka ne vitin 1968, pastaj në shtator të vitit 1969, Elez Azem Zeneli, nga Kaçaniku, si 18 vjeçar pasi kishte mbaruar shkollën e mesme për elektricist në Kaçanik, shpërngulet në Francë ku punësohet dhe e ndihmon familjen. Pas dy viteve vjen në Paris edhe vëllai tjetër Kemali, i cili prej atëherë gjer sot punon dhe jeton ne Paris me familje. Kemali martohet ne Paris me gruan spanjolle dhe me te i ka dy djem dhe një vajzë. Pastaj divorcohet nga ajo, por për kuriozitet ajo më nuk martohet kurrë.

Elezi pas 4 viteve kthehet ne Kosove dhe punësohet në kombinatin Sharr në Han të Elezit si përkthyes i frëngjishtes ne shqip. Elezi në vitet 1990, 1991, 1992 ishte Kryetar i nëndegës së LDK-së lagjes Bob të Kaçanikut, ku zhvilloi një aktivitet shumë të mirë me mësuesin e vet dhe liderin historik te LDK ne Kaçanik, Hebib Shehu. Elezi sot 72 vjeçar, prapë detyrohet te shpërngulet në Francë dhe prej asaj kohe deri sot punon dhe jeton atje me gruan e vet Suzanin dhe 3 djem dhe 2 vajza. Djemtë e Elezit kane mbaruar fakultete ne Paris: Bujari ekonominë ndersa Berati ing. dhe kane ndërmarrjen e vet per instalimin e pajisjeve radiologjike ne spitale ne Paris. Ndërsa djali tjeter Fatmiri ka mbaruar shkollën e larte ne Paris. Ne vitet 1983 dhe 1984 mërguan në Francë edhe dy vëllezërit tjerë te Elezit: Skenderi dhe Naseri.

Skenderi sot është kthyer në Kosovë me familjen e vet ku punon dhe jeton në Kaçanik. Ndërsa Naseri në Francë është martuar me Linditen me origjine nga Peja, babai i se cilës në vitet 1950 kishte mërguar në Francë. Ata i kane dy djem dhe një vajze, djemtë punojnë ndërsa vajza është në shkollë të mesme, në Francë. Naseri e ka ndërmarrjen e vet të ndërtimit. Në vitin 1990 mërgoi edhe Latifi në Francë ,vëllai më i vogël, i cili prej atëhere deri sot jetojnë dhe punon me sukses me Ndërmarrjen e vet private të ndërtimtarise, Ita është martuar me Dallandyshen nga Kaçaniku dhe i kane 3 fëmijë në shkolle fillore dhe të mesme.

Në vitet e pasluftës edhe Shabedini vëllai tjetër u detyrua me u shpërngulur me familje në Paris, ku punon dhe jeton bashkë me vëllezërit e tyre. Shaba i ka dy djem e dy vajza dhe 9 nipa. Motra e tyre Havushja është shpërngulur në Paris me burrin e saj Latifin prej viteve 1995, ajo i ka katër vajza. Motra e madhe Kadrija me burrin e saj Isain dhe 2 djemtë e vet tani me nipa,këta dy familje punojnë dhe jetojnë në Francë. Ndërsa Kadirja motra më e vogël jeton dhe punon në Belgjike bashkë me vajzat e veta. Ademi Vëlla i tyre ka mbetur në Kaçanik, i cili punon dhe jeton me familjen e vet në Kaçanik. Ndërsa dy djemtë e Ademit kanë mërguar në France dhe punojnë me xhaxhallarët e vet.

E veçanta e tregimit për familjen Zeneli është fakti se prindërit e tyre të ndjerë : babai haxhi Azemi, një burrë fisnik dhe bujar dhe Nana Miside si e quanim shumë në Kaçanik, kjo grua me një patriotizëm të madh, iu bashkëngjitet partisë se parë te formuar ne Kosovë, LDK-se, përkatësisht Shoqatës së grave të LDK anëtare e kryesisë e së cilës ishte Nana Miside. Ajo edhe pse në moshën 62 vjeçare sa ishte atëherë, kontribuoi shumë.

Nana Miside po ashtu punoi edhe në Shoqatën per Kthimin e Shqiptareve te Shpërngulur dega ne Kaçanik, ku zhvilloi aktivitet të mirë bashkë me Dr.Mustafe Thaçin, Dr.Nerxhivane Axhami Gula, profesoret e historisë .Sevdije Shehu e Skender Burrniku, juristët: Ramadan Raka e Adnan Burrniku,gjeometrat Zekirja Elezi e Maksut Hoxha,Nenkryetarin e shoqates Hysen Shurdhani, profesoret Selim Reka e Fevzi Bunjaku, pastaj Kadri Krasniqi dhe Sefedin Jaha e, Lumni Berisha etj. etj. Këta i regjistruan në vitin 1993 te shperngulurit nga Kaçaniku pra ishin : 3596 veta të shpërngulur nga komuna e Kaçanikut nëpër botë. Ndërsa gjatë viteve 1945-66 ne Shkup dhe Tetovë u shpërngulen 304 familje kaçanikase me 1598 veta. Në France ishin nga Kaçaniku atëherë 60 veta . Por sot sa janë? Neve në okupim dhe në gjendje të jashtëzakonshme me orë policore, e bëmë regjistrimin. Por, këta institucionet shteterore të Kosoves sot në liri që 21 vite nuk e dinë numrin e atyre që jetojnë në Kosovë, e lere më ata që kanë mërguar.

Të shtojmë se vëllezerit Zeneli e ndihmuan luftën në Kosovë 1998-1999 me para dhe me pjesemarrje direkte. Keshtu Latifi e la punen ne France dhe shkoi ne Koshare iu bashkangjitë luftes ku u plagos. Dy vëllezërit tjerë që ishin ne Kaçanik: Shabedini dhe Ademi iu kishin bashkëngjitur po ashtu radhëve të UÇK-së në Kaçanik. Bile edhe sot ata ndihmojnë, për shembull para dy jave vëllai i madh i tyre Elezi kishte paguar 5 mijë euro për ushtrinë e Kosovës.

Një segment tjetër të familjes Zeneli ne Paris, është fakti se shtëpia e tyre ka qene gjithnjë e hapur për mërgimtarët shqiptarë qe ia mësynin Francës, janë me siguri me qindra te tillë prej 1972 gjer sot : qe u kane ndihmuar, u kane gjetur pune ne firmat e tyre apo gjetiu. dhe sistemuar ne France. Siç thoshte haxhi Azemi :"Shtëpia është e Zotit dhe e mysafirit". Sot në Francë jetojnë 111 veta me djem e çika dhe nipa e mbesa nga kjo familje, ndërsa Elezi Zeneli kur erdhi në Francë ishte i vetëm.

Mërgata nga Shqipëria në Francë

Mërgimet individuale nga Shqipëria ne France ka patur qe nga vitet 1944 dhe më vonë ishte grupi i Mbretit Ahmet Zogut kur merguan ne Francë ne fund te viteve 1950-ta nga këto edhe sot jeton Skënder Zogu djali i vëllait te mbretit Zogu. Mergimtari me i njohur ne France është shkrimtari i famshmen Ismail Kadare i cili prej viti 1991 jeton dhe punon ne Francë.

Në vitin 2004 qeveria shqiptare regjistroi 2 mijë qytetare nga Shqiperia ne Francë.

Franca bëri punë të mira për Kosovën

Franca ne maj 1999 dergoi avionë të udhetimit në Shkup dhe i mori nga kampet e refugjatëve atje 6500 refugjate nga Kosova i sistemoi në Francë. Shumica e tyre akoma jetojnë e punojnë në France. Por e mira më e madhe ishte kur presidenti Jacques Chirac ne 24 mars 1999 vendosi që Shteti mik Franca t'i bashkëngjitet NATO-s në bombardimet e Serbisë. TV-1, ne lajmet e orës 20 më 24 mars 1999 publikoi deklaratën e presidentit Shirak : Asokohe Franca nuk ishte në NATO dhe Franca me 100 aeroplanë luftarakë i bashkëngjitej NATO-s: , Chirac tha :" Kemi marrur vendim t'i japim fund praktikave barbare të regjimit serb, spastrimeve etnike, masakrave dhe dëbimeve masive të shqiptarëve te Kosovës. Vendet perëndimore kanë vendosur t'i kundërvihen regjimit serb për t'a zhdukur një popull të tërë. Këto praktika na përkujtojnë orët më të errrëta të barbarisë. Sikur t'i pranonim këto praktika dëshmitarë të së cilave jemi, kjo d.m.th. të humbasim shpirtin tonë. të lejojmë që gangrena e të pathënshmes ( l'innommable) të vendoset serish në kontinentin tonë. Brezave të cilët nuk e kanë njohur luftën u themi, se lufta e sotme eshtë shembull se ajo nuk bazohet mbi konsiderata ekonomike apo strategjike, por në një ide të caktuar të moralit dhe të drejtës së kombeve." Intervenimi i NATO-s ishte vendimtar për çlirimin e Kosovës dhe ne duhet jemi mirënjohës për këtë.

Mërgata dhe NATO bën shumë për Kosovën, por Kosova... ?

Gjithë liderët e Kosovës, vazhdimisht thonë se mërgata jonë është boshti kryesor i kombit, por kjo mbetet vetëm në suaza verbale, duket si demagogji. Kur të shkojmë atje nuk e shohim respektin që e meriton mërgimtari. Sepse 1. Mërgata edhe sot praktikisht i mban me bukë familjet e veta, respektivisht një të treten e popullit të Kosovës, 2. Mërgata shqiptare është edhe ambasadore më e mirë e kombit ajo ka bërë dhe bën lobim të shkëlqyeshëm për Kosovën. 3. Mërgata është edhe investitorja më e madhe në Kosovë.

4. Mërgata janë kontribuuesit më të mëdhenj me parat e tyre kur vijnë në pushime në Kosovë ky lloj turizmi është burim i madh i të ardhurave në Kosovë, Sikur që e theksuam me larte intervenimin e NATO-s,dhe strehimi i refugjateve nga Kosova në perëndim meriton respekt nga institucionet e Kosovës. Mërgimtarët shqiptare të Kosovës do të ndjeheshin të nderuar sikur Kosova ta zëmë në çdo qytet të Kosovës nga një rrugë apo shkollë të mbajë emrat e Zhak Shirak, Bill Klinton,Tony Bler,Ëesli Klark, Madlen Ollbrajt, Bob Doll, Robin Kuk,Joshka Fisher, Anne Marie Lizin (Belgjike),Sulejman Demirel, Bulent Exhevit,Michlene Calmy Rey, Zvicër. etj.etj.

Kjo do ta nderonte Kosovën, por edhe miqtë tanë që na shpëtuan,nga gjenocidi. Kjo do të na nderonte pse jo edhe neve që jetojmë në mërgim, sepse kur të takohemi me miqtë tanë amerikane, francez, gjerman anglez, belg, zviceran, turk, t'u themi ja mirënjohja, respekti, nderimi dhe falënderimi jone me emrat e rrugëve apo shkollave e treguar praktikisht për ndihmën e madhe që na e keni dhënë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat