Pesë anglezë u kapën me 300 kg kokainë në Selanik/ Ekspertët britanikë: S’ka mundësi të jenë tanët, pas tyre fshihet mafia shqiptare

Diaspora

Pesë anglezë u kapën me 300 kg kokainë në Selanik/ Ekspertët britanikë: S’ka mundësi të jenë tanët, pas tyre fshihet mafia shqiptare

Më: 15 qershor 2022 Në ora: 00:39
Foto ilustrim

Personat e moshës 38, 45, 48 dhe 52 vjeç që besohet se janë nga Liverpooli dhe Londra akuzohen për përfshirje në nivelet e larta të krimit të organizuar në Evropën Perëndimore dhe prania e tyre në Greqi ka bërë që ekspertët të ngrenë dyshime.Një britanik i pestë, që besohet të jetë jashtë Greqisë, kërkohet gjithashtu nga policia.  Bandat e trafikut të drogës në Liverpool njihen për veprimin e tyre në nivel ndërkombëtar, me lidhje të forta me kartelet e Amerikës së Jugut. Ata u kapën me 300 kg kokainë të fshehur në një ngarkesë banane, e pikasur në Kalabri të Italisë dhe e sekuestruar në Selanik.

Zyrtarët grekë thanë se hetimi ishte një operacion i përbashkët midis Policisë Helenike, autoriteteve italiane dhe Administratës Amerikane të Zbatimit të Drogës (DEA). Kalabria është territori i origjinës së klaneve mafioze të frikshme dhe të fuqishme Ndrangheta, tentakulat e së cilës shtrihen nëpër kontinente dhe anëtarët e saj kontrollojnë zona të mëdha të tregtisë evropiane të kokainës.Megjithatë, ekspertët thonë se deri më tani nuk ka pasur asnjë shenjë të vërtetë që ndonjë nga organizatat e mëdha mafioze italiane të konkurrojë ose të jetë partnere drejtpërdrejt me grupet britanike të krimit të organizuar. Sipas tyre trafikimi i kokainës nëpërmjet porteve greke është zakonisht një rrugë e përdorur nga bosët e mafias shqiptare, e cila ka dominuar tregun britanik të kokainës vitet e fundit, por ka pasur edhe dëshmi, se grupet mafioze shqiptare dhe italiane punojnë së bashku.

Dr Anna Sergi, profesoreshë e kriminologjisë dhe krimit të organizuar në Universitetin e Essex-it dhe eksperte në grupet mafioze evropiane, tha se përfshirja e supozuar e britanikëve në trafikimin e kokainës përmes Kalabrisë ishte paksa e çuditshme.  Dr Sergi tha se një tjetër aspekt konfuz i sekuestrimit ishte fakti që policia greke tha se një pjesë e dërgesës së kokainës ishte e destinuar për në Australi, ku ‘Ndrangheta’ kontrollon një pjesë të madhe të tregtisë së kokainës.

“Në një nivel sistematik nuk ka pasur asnjë shenjë të ndonjë partneriteti midis ‘Ndrangheta, ose Cosa Nostra [një grup mafioz me bazë siçiliane] ose ndonjë prej mafiozëve të mëdhenj italianë dhe grupeve të krimit të organizuar britanik. Unë drejtova një projekt dhe në Britani nuk dukej se ishin infiltruar njerëz të ‘Ndrangheta, ndryshe nga pothuajse çdo vend tjetër në Evropë”, është shprehur ajo për mediat angleze. 

Dr Sergi tha se trafiku evropian i kokainës drejtohej nga një model i ndërlikuar dhe i ndryshueshëm i marrëveshjeve midis organizatave jashtëzakonisht të fuqishme, që përfshinin kartelet e Amerikës Latine, shqiptarë, italianë dhe irlandezë, si dhe grupe më të vogla. Së bashku me qindra pako kokainë, policia greke sekuestroi një pistoletë dhe plumba, pajisje radio dhe më shumë se 10 telefona celularë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat