Vrau të bijën dhe italianin, zbardhet dëshmia e plotë e vrasësit shqiptar: Gruaja në shtrat fliste me mesazhe me italianin

Diaspora

Vrau të bijën dhe italianin, zbardhet dëshmia e plotë e vrasësit shqiptar: Gruaja në shtrat fliste me mesazhe me italianin

Më: 8 maj 2023 Në ora: 22:41
Bukëpjekësi shqiptar, Taulant Malaj

Bukëpjekësi shqiptar, Taulant Malaj i cili vrau vajzën e tij 16-vjeçare dhe fqinjin italian e pranoi menjëherë krimin e dyfishtë. Kur zyrtarët e policisë italiane e arrestuan, në trup mbante veshur ende rrobat me gjak, ndërsa armën e krimit, një thikë kuzhine, e kishte braktisur në makinën e tij.

“Gruaja ime e kishte pranuar tradhtinë. Gruaja ime pranoi që kishte një lidhje me Massimo-n. Më kishte kërkuar falje për këtë lidhje, por unë doja të ndaheshim”, kështu mësohet t’i ketë thënë hetuesve 45-vjeçari, shkruan ANSA.

Ndërkohë media italiane sjell dëshminë e tij të plotë, ashtu sikurse edhe detaje të tjera nga ngjarja tragjike që ndodhi orët e vona të së shtunës, në pallatin ku jetonte familja shqiptare, në Torremaggiore të Foggia-s.

Për ANSA-n detajet i përcjellin dy mbrojtësit ligjorë të shqiptarit të arrestuar, Michele Maiellaro dhe Giacomo Lattanzio. Sipas rrëfimi të vetë shqiptarit, gjatë ditëve të fundit kishte pasur një debat në familje, gjithnjë për tradhtinë e supozuar, në fund të së cilit 45-vjeçari kishte thënë se donte të ndahej.

Por sipas tij, gruaja, 39-vjeçarja Tefta Malaj, e kishte bindur që të rrinte në shtëpi. E duket se Malaj, gjithnjë sipas rrëfimit të tij, e kishte kapur bashkëshorten disa herë në katin e tretë të godinës, aty ku jetonte i dashuri i saj i supozuar. Por të shtunën kishte ndodhur diçka tjetër, gjithnjë sipas rrëfimit që autori i dyshuar ka dhënë për hetuesit. Gjatë kohës që burrë e grua ishin në shtrat, gruaja sipas tij, nisi të fliste me mesazhe me dikë. 45-vjeçari kishte dyshuar dhe kishte parë telefonin e të shoqes, ku sipas tij, kishte zbuluar se ajo po fliste me fqinjin e shtëpisë, Massimo-n. Pak kohë më pas, kishte dalë nga shtëpia dhe kishte pritur derisa Massimo të kthehej nga një lokal ku kishte qenë. Sapo ai hyri në derën e godinës së banimit, e goditi për vdekje me thikë.

Gjithnjë sipas mbrojtësve të tij, Malaj i tha hetuesve se të parin kishte vrarë Massimo-n. Më pas ishte ngjitur në shtëpi, ku nisi të godiste bashkëshorten e më pas të bijën që tentonte të mbronte të ëmën. “Në atë moment, i errësuar nga inati nuk e ka kuptuar që përballë kishte të bijën dhe ka vijuar ta godasë”, thonë mbrojtësit e tij. Dy avokatët, shkruan ANSA, flasin për një lidhje të fortë mes autorit të dyshuar dhe fëmijëve të tij, Jessica-s 16-vjeçare dhe djalit 5-vjeçar.

Po sipas asaj që dy avokatët treguan për ANSA-n, pasi pranoi autorësinë për vrasjen e dyfishtë, ndoshta edhe për shkak të gjendjes konfuze ku gjendej, Malaj kërkonte vazhdimisht të bijën: “Si është Jessica, a është mirë?”

Djali shpëtoi sepse ishte fshehur pas divanit. E gjithë ngjarja makabre ngjan me një film horror. Edhe mënyra sesi djali 5-vjeçar arriti t’i shpëtonte babait të tij Taulant Malaj. Ai qëndroi i fshehur pas divanit, ndërkohë që i ati sapo i kishte vrarë motrën e madhe dhe i kishte plagosur të ëmën. Pas masakrës, të parët që mbërritën në shtëpi ishin vëllai i vrasësit të dyshuar dhe gruaja e tij. Ishin pikërisht këta të dy që e gjetën të voglin të fshehur pas divanit. Ky i fundit, siç shkruan ANSA, kur mbërritën karabinierët ishte në krah të tyre, në gjendje të dukshme shoku. Aktualisht ai po qëndron me çiftin në fjalë.

Ndërkohë, për të qartësuar ekzistencën e lidhjes së pretenduar jashtëmartesore dhe shkëmbimin e mesazheve mes bashkëshortes së vrasësit dhe viktimës, hetuesit mësohet se kanë sekuestruar telefonat celular të gruas, burrit dhe vajzës.

“Malaj ishte shumë i qetë. Vinte çdo mbrëmje në orën 23:00 dhe largohej në orën 07:00 të mëngjesit. Ishte i përpiktë, nuk bënte fare pushim”. Kështu e përshkruajti drejtuesi i furrës së bukës ‘Latartara’ të Torremaggiore, vartësin e tij Taulant Malaj. “Edhe kur i mbaronte turni vijonte të punonte, derisa të kishte mbyllur gjithçka”, tregoi ai, raporton ANSA.

Malaj jetonte në Itali prej 20 vitesh. Çifti ishte i martuar prej 17 vitesh. Ai kishte punuar gjithnjë si bukëpjekës. Kolegët tregojnë madje se ishte i mirë në punën që bënte. Për 10 vjet kishte punuar në një tjetër furrë të Torremaggiore, ndërsa në punën që ndodhej aktualisht kishte që prej Dhjetorit. “Kishte një karakter shumë të qetë. Nuk na ka sjellë kurrë asnjë problem. Ashtu sikurse nuk na ka treguar kurrë për zënka në shtëpi”, shprehen te puna e tij.

“Gruan e Taulantit e kam parë vetëm një herë, kur erdhi këtu për intervistë”, shton më tej punëdhënësi i vrasësit të dyshuar.

Teksa përcjell të gjitha dëshmitë për Taulant Malajn, ANSA sjell edhe këtë foto të tij me djalin 5-vjeçar. Në të bie në sy edhe një kartolinë e shkruar me dorë në të cilën thuhet: “Babi të dua shumë. Zemra ime rreh për ty”.

Në një tjetër pamje, media italiane përcjell edhe këtë banderolë të vendosur mëngjesin e kësaj të hëne në shkollën e Jessica-s. “Jess jeton brenda nesh, gjithmonë”, shkruajnë shokët e shoqet e klasës së 16-vjeçares e cila studionte në liceun klasik Isiss ‘Fiani-Leccisotti’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat