Shoqata kulturore shqiptare “Shën Nënë Tereza” në Suedi shënon 17-vjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe 20-vjetorin e themelimit

Diaspora

Shoqata kulturore shqiptare “Shën Nënë Tereza” në Suedi shënon 17-vjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe 20-vjetorin e themelimit

Nga: Rrahman Rrahmani, Suedi/Ängelholm Më: 26 shkurt 2025 Në ora: 11:24
Foto nga kjo mbrëmje festive

Në një atmosferë festive dhe emocionuese, Shoqata Kulturore Shqiptare "Shën Nënë Tereza" shënoi me madhështi 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe 20-vjetorin e themelimit të saj. Mbrëmja festive, e mbajtur në qytetin e Engelholmit, mblodhi mbi 300 pjesëmarrës nga komuniteti shqiptar dhe të ftuar të tjerë nga nacionalitete të ndryshme.

Kryetari i Shoqatës, z. Rrahman Rrahmani, shpalli të hapur këtë ngjarje të rëndësishme, duke ftuar të pranishmit për një minutë heshtje në nderim të katër bashkatdhetarëve që kanë ndërruar jetë në këtë komunë gjatë një muaji e gjysmë. Pas kësaj, u intonua himni kombëtar “Himni Dardan”, duke i dhënë mbrëmjes një fillim solemn e dinjitoz.

Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Rrahmani përgëzoi të gjithë shqiptarët për përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe për rrugëtimin e suksesshëm të Shoqatës Kulturore Shqiptare "Shën Nënë Tereza" për dy dekada me radhë. Ai falënderoi moderatoret e mbrëmjes, zsh. Albina Ibrahimi dhe zsh. Donika Sallahu, si dhe ekipin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), të përfaqësuar nga moderatori dhe gazetari Agron Krasniqi dhe kameramani Visar Salihu.

Image
Foto nga kjo mbrëmje festive

Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë edhe përfaqësues të autoriteteve vendore suedeze dhe organizatave joqeveritare. Një fjalë rasti mbajti anëtari i kryesisë së Shoqatës, z. Ferki Hiseni, i cili fillimisht uroj të pranishmive 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe 20-vjetorin e themelimit të Shoqatës Kulturore Shqiptare “Shën Nënë Tereza” në Ängelholm ai tha se:

17 Shkurti 2008 shënon njërën nga arritjet më madhore në historinë tonë kombëtare. Pas një periudhe të gjatë përpjekjesh e sakrificash, Kosova shpalli pavarësinë e saj, duke kurorëzuar aspiratat shekullore të popullit tonë për liri dhe shtet sovran.

Image
foto nga kjo mbrëmje festive

Rruga drejt kësaj dite të madhe u udhëhoq nga vizioni dhe diplomacia e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, i cili me urtësi dhe këmbëngulje ndërtoi themelet e shtetit të pavarur, si dhe nga sakrifica sublime e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, të cilët me heroizmin e tyre të pashoq u bënë simbol i qëndresës dhe luftës për liri.

Në të njëjtën kohë, sot festojmë edhe 20-vjetorin e themelimit të Shoqatës Kulturore Shqiptare “Shën Nënë Tereza”, e cila prej dy dekadash ka qenë një urë lidhëse mes bashkatdhetarëve tanë në Engelholm me rrethinë dhe kulturës, traditës dhe identitetit tonë shqiptar.

Image
foto nga kjo mbrëmje festive

Ndërsa znj. Eva Dahlberg, përfaqësuese e sektorit kulturor në komunën e Ängelholmit, shprehu mirënjohjen për punën dhe angazhimin e Shoqatës në ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare. Ajo gjithashtu interpretoi një këngë me kitarë, duke sjellë një moment të veçantë në këtë mbrëmje.

Po ashtu, z. Dini Sayid Ali, përfaqësues i një organizate joqeveritare, përshëndeti të pranishmit dhe vlerësoi bashkëpunimin kulturor mes komuniteteve, e në veqanti me ShKSh ”Shënë Nënë Tereza në Engelholm.

Image
foto nga kjo mbrëmje festive

Pjesa artistike e programit ishte e pasur dhe emocionuese. Poezitë e recituara nga vogëlushja Ariana Bahtiri “Sa kohë kanë kaluar”.dhe motrat Elea dhe Arnea Elshani, me titujt “Unë s’kam faj” dhe “Lamtumirë, vendi im”, prekën thellë të pranishmit. Më pas, grupi i valltarëve të Shoqatës interpretoi disa valle tradicionale shqiptare, të cilat u mirëpritën me duartrokitje të pandërprera.

Në vazhdim të këtij programi festiv z . Rrahmani prezentoj raportin e punës së Shoqatës 2005-2025 e cila për qëllim kishte ruajtjen e kulturës dhe traditave shqiptare në Suedi. Ky raport pasqyron aktivitetet dhe kontributin e saj në 20 vite.

Raporti përmbledh sukseset dhe synimet e Shoqatës në promovimin e kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar në Suedi.

Në këtë mbrëmje të veçantë, kryesia e Shoqatës ndau 96 mirënjohje për valltarët, anëtarët e kryesisë, komisionin mbikëqyrës, koreografët, sponsorët, mësuesit shqiptarë dhe të tjerë që kanë kontribuar në mbështetjen e Shoqatës ndër vite.

Image
Foto nga kjo mbrëmje festive

Mbrëmja u përmbyll me një koncert festiv, ku këngëtarët Lindita Kryeziu, Gazmend Kelmendi (Gazza) dhe orkestra muzikore e Endrit Krasniqit sollën këngë dhe melodi të pasura nga muzika shqiptare, duke krijuar një atmosferë të paharrueshme për të gjithë të pranishmit.

Kjo ngjarje konfirmoi edhe një herë rëndësinë e komunitetit shqiptar në Suedi dhe përkushtimin e Shoqatës Kulturore Shqiptare "Shën Nënë Tereza" në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe promovimin e kulturës shqiptare në diasporë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat