Nën tingujt e muzikës shqiptare dhe përballë dy flamujve krenarë — ai kombëtar dhe ai i Kosovës — në qytetin Eslöv të Suedisë u mbajt me shumë emocion dhe përkushtim kuvendi i parë zgjedhor i Shoqatës Kulturore “Dardania Dans”. Nën logon e Flamurit Dardan, përgatitur me kujdes nga vetë kjo shoqatë, u krijua një atmosferë e ngrohtë dhe krenare, ku kultura shqiptare u përjetua në çdo hap.
Pjesëmarrja ishte e madhe dhe e larmishme: fëmijë të veshur me kostume kombëtare, familje të tëra që vinin dorë për dore me fëmijët e tyre, të buzëqeshur dhe me zemër të hapur, të gjithë të sjellë nga dashuria për rrënjët dhe trashëgiminë kulturore. Mikpritja ishte vëllazërore, me sofrën e mbushur me ushqime tradicionale të përgatitura me dashuri, të shtruar nga vetë komuniteti. Ishte një ditë ku bujaria shqiptare e tregoi veten në mënyrën më të denjë.
Të pranishme ishin edhe shoqata të tjera motra nga komuniteti shqiptar në Suedi, të cilat me vite kanë ndërtuar ura bashkëpunimi me “Dardania Dans”. Nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta ndër vite, janë krijuar lidhje të forta ku vogëlushet tona — këto fluturake të vogla me zemër të madhe — kanë prezantuar kulturën shqiptare me krenari dhe pasion.
Procesi zgjedhor u zhvillua në mënyrë demokratike dhe të rregullt, ku me votë të lirë u zgjodh udhëheqësia e re e shoqatës. Kryetar u rizgjodh koreografi i njohur dhe themeluesi shumëvjeçar i kësaj shoqate, z. Naser Sopjani. Ai do të udhëheqë së bashku me nënkryetarin, sekretarin, arkëtarin dhe komisionet statutare në rrugëtimin e mëtutjeshëm për ruajtjen dhe promovimin e kulturës sonë.
Kuvendi u udhëhoq me sukses dhe përvojë të shkëlqyer nga dy aktiviste shembullore të komunitetit shqiptar në Suedi, zonja Mona Juniki dhe zonja Aferdita Hoti Bunjaku, të cilat me përkushtim dhe profesionalizëm mbajtën atmosferën pozitive dhe unitetin ndër pjesëmarrës.

Në përfundim të kuvendit, përgëzime të ngrohta dhe urime të përzemërta dhanë edhe figura të njohura dhe të respektuara të komunitetit shqiptar në Suedi. Fjalë të veçanta përgëzimi dhanë: prof. Isuf Bajraktari, aktivist dhe punëtor shumëvjeçar i arsimit; z. Xhevat Isufi, nënkryetar i Shoqatës Kulturore “Unioni Iliria”; zonja Antogona Osaj, kryetare e Shoqatës “Kosovarja”; z. Bashkim Jashari, muzikant dhe kryetar i Shoqatës Kulturore-Artistike; si dhe z. Isak Bunjaku, një nga aktivistët e parë të komunitetit, me një kontribut të çmuar në shpirtin dhe organizimin e jetës kulturore shqiptare në mërgatë.
Atmosfera u gjallërua edhe më tej me këngët e bukura shqiptare, të interpretuara nga Shoqata Kulturore “Okarina”. Ndërkohë, vogëlushet e “Dardania Dans” ngritën adrenalinën e sallës me tre valle të bukura, të cilat u pritën me duartrokitje të zjarrta nga të gjithë të pranishmit.
Shërbimi i ushqimeve tradicionale, kafesë dhe ëmbëlsirave ishte “qershia mbi tortë”, duke krijuar një ambient të ngrohtë dhe miqësor, ku të pranishmit patën rastin të njiheshin, të bisedonin e të ndanin momente të paharrueshme, të dokumentuara me shumë fotografi.
Shoqata Kulturore “Dardania Dans” dëshmoi edhe një herë misionin e saj të çmuar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në mërgatë. I urojmë suksese të mëtejshme në misionin e saj fisnik për të forcuar lidhjen shpirtërore e kulturore ndërmjet brezave të rinj dhe atdheut të tyre.
Urime dhe suksese, “Dardania Dans”!
Isuf Bajraktari