Vrasja e Gentiana Hudhrës në Itali, flet vëllai i 45-vjeçares: Ka tentuar edhe herë të tjera, askush nuk ndërhyri!

Diaspora

Vrasja e Gentiana Hudhrës në Itali, flet vëllai i 45-vjeçares: Ka tentuar edhe herë të tjera, askush nuk ndërhyri!

Më: 17 qershor 2025 Në ora: 18:09
Gentiana Hudhra

Zbardhen detaje të reja nga vrasja e 45-vjeçares shqiptare në Itali. Gentiana Hudhra u qëllua disa herë me thikë nga bashkëshorti i saj, Nikollaq Hudhra.

Mësohet se në vitin 2021, Gentiana kishte denoncuar ish-burrin e saj, Nikollaq Hudhrën, 55 vjeç, për dy episode dhune gjatë bashkëjetesës së tyre.

Megjithatë, prokuroria e Maceratas në dhjetor të atij viti kërkoi dhe mori mbylljen e hetimeve për këtë rast. Në janar të vitit 2022, pas 20 vitesh martesë, u formalizua ndarja e çiftit, të martuar që nga 8 janari 2002.

Avokati që e mbrojti Gentianën në atë periudhë, Guglielmo De Luca, tha për mediat se Nikollaq Hudhra kishte idenë e fiksuar se ajo e helmonte, madje në shtëpi kishte vendosur një zinxhir në frigorifer.

“Ai kishte idenë e fiksuar se ajo e helmonte. Në shtëpi kishte vendosur një zinxhir në frigorifer. Para ndarjes kishte ndryshuar bravën e derës për ta mbajtur larg. Më pas, falë dy kërkesave, i lejoi të kthehej, por e detyronte të flinte në një dhomë të vogël në një divan. I thashë të largohej nga ai burrë, por ajo priti për shkak të shqetësimit për fëmijët”, u shpreh avokati i saj.

Edhe vëllai i Gentianës, Artur Kopili, i cili mbërriti nga Shqipëria në Tolentino pas vrasjes së të motrës, foli për marrëdhënien e motrës me ish-burrin, i cili tha se i dinin shqetësimet mes tyre.

“Të gjithë e dinin këtë situatë. Motra ime e kishte denoncuar disa vite më parë ish-burrin, por askush nuk ndërhyri”, tha ai.

Çifti jetonte në Itali me dy djemtë, Mario dhe Samuel, 21 dhe 23 vjeç. Pas disa vitesh në Belforte, kishin zhvendosur banesën në Tolentino. Pas ndarjes, Nikollaqi u transferua rreth dy vite më parë në Passignano sul Trasimeno ku punonte në një fermë lokale.

Punëdhënësit e tij tregojnë se ishte punonjës i saktë, por kohët e fundit kishte shfaqur sjellje të çuditshme.

“Është një punonjës i mirë, shumë i saktë dhe i përpiktë. Puna është e lodhshme dhe rrallë kush qëndron kaq gjatë. Kohët e fundit kishte shfaqur sjellje të çuditshme, por askush nuk mund të imagjinonte një përfundim të tillë. Është e pabesueshme”, është shprehur ai për mediat.

Si ndodhi vrasja?

Sipas hetimeve, mbrëmjen e 14 qershorit rreth orës 20:00, Nikollaqi mbërriti me monopatinë pranë ish-bashkëshortes dhe e goditi me një thikë kuzhine rreth 18 centimetra, duke i shkaktuar rreth dhjetë plagë, dhe më pas e goditi me këmbë.

Pas aktit, 55-vjeçari u ul në një stol pranë trupit të pajetë të ish-gruas, aty ku u gjet dhe u arrestua nga policia. Në një seancë dëshmie, Hudhra pranoi vrasjen dhe rrëfeu se kishte tentuar të vriste ish-gruan edhe dy herë më parë. Hetuesit po përpiqen të zbulojnë motivin e përpjekjeve të tjera për vrasje.

Nikollaqi ndodhet aktualisht në izolim në burgun Montacuto në Ankona dhe në gjykatën e Maceratas do të zhvillohet seanca për konfirmimin e arrestimit. Ai akuzohet për vrasje me paramendim, ndërsa ka pranuar se ka provuar edhe më parë ta vriste ish-gruan dhe ka shpjeguar se ka shkuar në vendin e ngjarjes me monopatinë, pasi ajo e njihte makinën e tij.

Në të njëjtën ditë, në orën 12:30, do t’i besohet mjekut ligjor Antonio Tombolini kryerja e autopsisë, për të përcaktuar saktësisht numrin e plagëve dhe ato që rezultuan fatale për Gentianën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat