Taulant Malaj, shqiptari i cili dy vjet më parë vrau vajzën e tij Jessica dhe fqinjin Massimo De Santis, është dënuar me burgim të përjetshëm nga autoritetet italiane. Malaj vrau fqinjin pasi dyshonte se ishte lidhur me ish-gruan e tij, Tefta Malaj dhe vajzën Jessica. Kjo e fundit u vra teksa po mbronte nënën e saj.
Gjykata e Foggias e dënoi me burg përjetë shqiptarin Taulant Malaj si dhe caktoi izolim gjatë gjithë ditës prej një viti e gjysmë për të.
47-vjeçari akuzohet për vrasje të dyfishtë me dashje dhe tentativë vrasjeje me faktorë të shumtë rëndues, të kryera në Torremaggiore më 7 Maj 2023.
Avokati Roberto De Rossi, i cili asistoi Tefta Malajn, nuk e ka konsideruar kurrë “të besueshme tezën e ngritur nga mbrojtja, për një defekt mendor të të pandehurit që i atribuohet një çrregullimi të gjumit.
Sjelljet e kryera menjëherë pas vrasjes nxorën në pah praninë e aftësive njohëse dhe dalluese, të mbështetura gjatë gjyqit nga dëshmia e psikiatrit mjeko-ligjor, Luigi Esposto, i cili e vizitoi të pandehurin në burg, duke përjashtuar praninë e patologjive psikiatrike”.