Karabinierët e Reggio Emilia arrestuan një 25-vjeçar shqiptar, pasi së bashku me një bashkëmoshatar dominikan u përfshinë në një incident ku plagosën një ndihmësmjek dhe dëmtuan ambulancën që po shkonte në një vendngjarje.
Ngjarja ka ndodhur më 16 qershor të vitit të kaluar, ndërsa arrestimi është bërë së fundmi. Me një gjyq të përshpejtuar shqiptari u dënua dhe u urdhërua dëbimi i tij nga Italia pas procesit dhe ndalohet që të kthehet deri në vitin 2028.
Autoritetet thanë se nga sulmi u plagos 36-vjeçari Manuel Setti, një ndihmësmjek dhe u rrezikua shoferi 44-vjeçar, që u sulmuan në lagjen Santa Croce. I pari arriti të shmangte goditjen nga një Fiat Punto që u përpoq ta shtypte.
Dy të rinjtë dolën më pas nga makina dhe e goditën me shqelma dhe grushte, duke i shkaktuar lëndime që çuan në një prognozë shtatë-ditore, pasi iu dëmtua fytyra edhe me një shishe qelqi, përveçse u dhunua fizikisht, informon media italiane.
Kurse 44-vjeçari që drejtonte ambulancën, u godit papritur nga makina, por nuk mori lëndime.