Presidentja Osmani ngushëllon familjet e tre shqiptarëve që vdiqën në Austri: Tragjedi e rëndë, dhimbje e thellë
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, u ka shprehur ngushëllime familjeve të tre bashkatdhetarëve që humbën jetën tragjikisht, në vendin e punës në Austri.
Osmani tha se kjo tragjedi ka lënë një dhimbje të thellë e të pashuar jo vetëm te familjet e tyre, por te të gjithë.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për humbjen tragjike të jetëve të bashkatdhetarëve tanë: Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj, si pasojë e aksidentit të rëndë në një kantier ndërtimi në Vjenë.
Kjo tragjedi e rëndë, që ua ndërpreu jetën teksa punonin për ta siguruar jetesën, ka lënë një dhimbje të thellë e të pashuar jo vetëm te familjet e tyre, por te të gjithë ne.
Në këto momente të vështira, ju shprehim ngushëllime familjeve, miqve dhe të afërmve të viktimave.
Ndajmë dhimbjen me familjet dhe lutemi që të gjejnë forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë.
I përhershëm qoftë kujtimi për Pajtim Bajramin, Asllan Musliun dhe Istref Zekajn!”.
Vdekja tragjike e shtetasve të Kosovës, flet Policia e Vjenës
Katër punëtorë kanë humbur jetën tragjikisht gjatë ditës së djeshme në një kantier ndërtimi në Vjenë, Austri.
Lidhur me këtë rast të rëndë, Policia e Vjenës ka dhënë deklaratë për klanin. Përmes një përgjigjeje zyrtare, policia konfirmon se tre nga viktimat janë shtetas të Kosovës.
“Tre punëtorë të ndërtimit janë identifikuar si shtetas të Kosovës,” deklaroi zëdhënësi Phillip Hasslinger. Ai shtoi se arsyet e këtij aksidenti janë ende të paqarta.
Viktimat janë: Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj.
Tragjedia në Austri: Këta janë emrat e tre viktimave nga Kosova
Ambasada e Kosovës në Austri ka njoftuar se është konfirmuar se tre nga katër viktimat në aksidentin në Austri janë shtetas të Kosovës.
Tre të vdekurit në këtë aksident janë, Istref Zekaj, Pajtim Bajrami (1990), Asllan Musliu (1977)
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake, si dhe me familjarët e viktimave, me qëllim të ofrimit të mbështetjes së nevojshme dhe koordinimit të mëtejmë për të gjitha procedurat përkatëse. Në këto momente të rënda, shprehim edhe njëherë ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet e viktimave”, thuhet në njoftimin e ambasadës në Facebook.
Ambasada në Austri konfirmon edhe identitetin e viktimës së tretë nga Kosova
Ambasada e Kosovës në Austri ka bërë të ditur se, sipas konfirmimeve të fundit, edhe viktima e tretë nga katër personat që humbën jetën në një aksident tragjik është shtetas i Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për qytetarin Istref Zekaj.
Ambasada njofton se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake, si dhe me familjarët e viktimave, me qëllim që të ofrojë mbështetjen e nevojshme dhe të koordinojë procedurat përkatëse.
Në këtë periudhë të vështirë, Ambasada ka shprehur edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave, duke premtuar se do të vazhdojë të informojë publikun për çdo zhvillim të mëtejshëm lidhur me rastin.
Ambasada e Kosovës deklarohet për tragjedinë në Vjenë
Një tragjedi ka ndodhur ditën e djeshme në Vjenë, ku disa punëtorë humbën jetën në vendin e tyre të punës, në një kantier ndërtimi në Alsergrund.
Në mesin e viktimave ka edhe nga Kosova.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, ka reaguar edhe Ambasada e Kosovës në Austri, e cila përmes një njoftimi konfirmon identitetin e dy viktimave.
Bëhet fjalë për Pajtim Bajrami (1990) dhe Asllan Musliun (1977).
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri shpreh dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave, si dhe për të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe po ndjekim nga afër çdo zhvillim lidhur me rastin. Në të njëjtën kohë, jemi të angazhuara për të ofruar të gjithë mbështetjen e nevojshme për familjarët e viktimave. Do të vazhdojmë t’ju informojmë për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftimin e Ambasadës e cila u lëshua në mesnatën e së martes.
Shqiptari që jeton në Vjenë jep detaje për tragjedinë ku vdiqën tre shqiptarët e Kosovës dhe një tjetër nga Bosnja
Avokati Mirsad Musliu, ka dhënë detaje mbi rastin tragjik në Vjenë të Austrisë, ku tre kosovarë dhe një tjetër nga Bosnja dyshohet se kanë vdekur në vendin e punës.
Në emisionin “Edicioni Special”, Musliu tha se edhe një person ka pësuar lëndime, ndërsa po vazhdon trajtimin në spital.
“Sa i përket kombësisë, thuhet se janë shqiptarë, nga burime të sigurta e di që janë tre shqiptarë, kjo është e sigurt, një person thuhet se është nga Serbia e Jugut, nga Novi Pazari, por kjo nuk është ende e konfirmuar. Ndërsa për kombësinë e të lënduarit ende nuk dihet gjë”, tha ai.
Pos tjerash, avokati dha detaje edhe se si kishte ndodhur ky rast tragjik, madje edhe si u nxorën viktimat nga punishtja.
Tragjedia në Austri, këta janë tre qytetarët që humbën jetën duke punuar në Vjenë
Një aksident i rëndë ka ndodhur në Vjenë, Austri, ku një skelë ndërtimi u shemb. Katër persona kanë humbur jetën.
Nga informacionet e konfirmuara të albinfo.at rezulton si në vijim: Tre prej viktimave janë shqiptarë: Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj.
Viktima e katërt është nga Bosnja.Një person tjetër mbeti i lënduar, derisa mësohet se me prejardhje është nga Maqedonia e Veriut.
Autoritetet po vijojnë hetimet për identifikimin e plotë të viktimave dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit. Informacionet mund të ndryshojnë gjatë orëve të ardhshme.
E dhimbshme: Mërgimtari nga Skenderaj që vdiq në Vjenë, la pas vetes gruan dhe dy vajza
Një rast tragjik është shënuar ditën e martë në Vjenë të Austrisë, ku tre shqiptarë nga Kosova dhe një nga Bosnja, dyshohet se humbën jetën tragjikisht në vendin e punës.
Njëri nga viktimat është Pajtim Bajrami nga Klina e Ulët e Skenderajt.
Sipas komentuesve në rrjetet sociale, i ndjeri ka lënë pas vetes gruan dhe dy vajza të vogla.
Ndërsa vdekjen e tij, e kanë konfirmuar familjarët e të ndjerit.
Deliu-Kodra shpreh ngushëllime për vdekjen tragjike të katër qytetarëve në Vjenë
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka shprehur ngushëllime për katër shqiptarët nga Kosova, që humbën jetën tragjikisht në Vjenë të Austrisë.
Përmes një postimi në Facebook, Deliu-Kodra e quajti humbje tragjike shuarjen e katër jetëve.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të katër bashkëqytetarëve tanë në Vjenë. Ngushëllimet më të sinqerta për familjet e tyre në këto momente të rënda”, ka shkruar ajo.
Dyshohet se katër viktimat vdiqën në vendin e punës në Vjenë, si pasojë e thyerjeve të skeleve gjatë ditës së martë.
Deri më tani, vetëm Pajtim Bajrami nga Klina e Poshtme e Skenderajt është identifikuar si një nga viktimat e kësaj tragjedie.
Tragjedia në Vjenë, policia konfirmon vdekjen e katër punëtorëve nga shembja e skeleve,
Sot afërsisht në orën 14:15, ndodhi një aksident në vendin e punës në lagjen e 9-të të Vjenës. Për arsye ende të panjohura, skelat u shembën, duke ‘varrosur’ pesë punëtorë ndërtimi nën rrënoja.
Një punëtor ndërtimi u shpëtua nga shërbimet e emergjencës dhe u dërgua në spital. Katër persona të tjerë u nxorën të vdekur nga rrënojat, konfirmon policia e Vjenës në një postim në “X”.
Hetimi për shkakun e aksidentit është duke vazhduar, thuhet në postim.
Dyshohet se ka të vdekur shqiptarë nga Kosova. Një familjar e bëri të ditur përmes një postimi në rrjete sociale vdekjen e Pajtim Bajrami nga Komuna e Skenderajt.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmim për humbjen e jetës së djalit të axhës i cili humbi jetën në vendin e punës në Vienë të Austrisë bashkë me tre shokët e tij nga Kosova”, shkroi njëri nga familjarët.