Kukësi përballet me Tiranën

Futboll

Kukësi përballet me Tiranën

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 13:32
Kukësi përballet me Tiranën

Vetëm katër ditë pas mbylljes së fazës së Parë, Kategoria Superiore do të rikthehet sërish në fushë sot për ndeshjet e vlefshme për javën e 10, apo javën e parë të fazës së dytë.

Kështu supersfida e javës do të jetë ajo mes Kukësit e Tiranës, dy skuadra që rivalizuan për titullin kampion në sezonin e kaluar dhe që kanë pretendime maksimale edhe këtë sezon, ndonëse nuk kanë bërë fort mirë në fazën e parë.

Në ndeshjen hapëse të kampionatit, bardheblutë ia dolën të triumfojnë me rezultatin 2-0, falë dy golave të shpejtë të mbrojtësit maqedonas Najdovski, të dy të ardhur pas ekzekutimit të goditjeve nga këndi.

Megjithatë që atëherë Kukësi është rritur ndjeshëm dhe me 5 fitore radhazi e një barazim, ia doli të ngjitet në vendin e dytë me 16 pikë, ndërsa Tirana kaloi disa peripeci që sollën edhe ndryshime në pankinë, me rikthimin e Nevil Dedes në stol për të zëvendësuar Egbo.

Verilindorët e Gegës vijnë në këtë takim pas humbjes minimale 1-0 në Kamëz ndaj Kastriotit, ndërsa bardheblutë paa barazimit 1-1 në Korçë ndaj Skënderbeut, ndaj sot në orën 16:45 do të synojnë rikthimin te fitorja, ndonëse vetëm njëra do të mund t’ia dalë.

Më herët, në orën 13:45 dontë luhen 4 sfidat e tjera të javës, me Vllazninë kryesuese që do të kërkojë të lërë pas krahëve humbjen në Laç, pasi sot do të përballet me Apoloninë e vendit të fundit në stadiumin “Loni Papuçiu” në Fier.

Me 3 barazime e një humbje në 4 javët e fundit, te Partizani është prishur disi atmosfera dhe nuk kanë munguar as polemikat mes trajnerit e disa prej futbollistëve, megjithatë “të kuqtë” do të kenë mundësi të reagojnë sot, pasi do të përballen me skuadrën e Kastriotit.

Do të provojë suksesin e dytë radhazi dhe të tretin sezonal edhe skuadra e Laçit, që 4 ditë më parë mposhti me rezultatin minimal 1-0 Vllazninë, ndërsa sot do të presë mallakastriotët e Bylisit.

Pas fitores minimale 0-1 në Fier ndaj Apolonisë, Teuta ka udhëtuar drejt Korçës për t’u përballur me Skënderbeun vendas në një sfidë ku marrja e tri pikëve është kthyer në detyrim për durrsakët.

Të gjitha sfidat e javës së 10 do të transmetohen si gjithmonë ekskluzivisht në ekranin e Supersport, ku nuk do të mungojë as emisioni “Gol pas Goli” me moderatoren Vilma Masha dhe të ftuarit e saj gazetarë e specialistë futbolli.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat