Kukësi mposht me përmbysje Bylisin

Futboll

Kukësi mposht me përmbysje Bylisin

Më: 24 janar 2021 Në ora: 16:48
Kukësi mposht me përmbysje Bylisin

Pas suksesit 1-3 në Fier ndaj Apolonisë, Kukësi mposhti pasditen e sotme Bylisin me rezultatin 2-1 në “Elbasan Arena”, duke regjistruar fitoren e dytë radhazi dhe duke u ngjitur përkohësisht në vendin e katërt me 23 pikë.

Pa trajnerin Dovedan në pankinë dhe Ujkën në mesfushë, të dy të pezulluar, ballshiotët surprizuan Kukësin në minutën e 26’, duke kaluar në avantazh me golin e shënuar nga mbrojtësi Stojanoviç.

Megjithatë reagimi i verilindorëve ishte mjaft i mirë dhe në minutën e 40’ kapiteni Agim Ibrahimi riktheu baraspeshën, ndërsa në të 57-ën ishte sulmuesi Eze që shënoi golin e dytë, duke i dhënë avantazhin Kukësit, rezultat që të besuarit e Hallaçit e ruajtën deri në fund, duke shtuar edhe 3 pikë të tjera në llogarinë e tyre.

Nuk ka fitues as në sfidën direkte për mbijetesën, mes Skënderbeu dhe Apolonisë, pasi 90 minutat e zhvilluara në Korçë u mbyllën në barazim 1-1 dhe të dy skuadrat ndanë nga një pikë.

Pas një pjese të parë në barazim pa gola, sfida u zhbllokua në minutën e 49’, kur arbitri akordoi një penallti për vendasit dhe Jorgo Meksi u tregua i saktë, duke mposhtur portierin Harizaj.

Vetëm pak minuta më vonë korçarët i shkuan pranë edhe golit të dytë, por sulmuesi Mensah nuk arrin të shtyjë në rrjetë një top që ishte mbi vijën fatale, ndërsa më pas edhe tentativa e Pusit u ndal nga portieri fierak.

Në minutën e 72-të Mario Gjata depërtoi në zonën e korçarëve dhe pas një kontakti me Barjamajn, u shpërblye me penallti nga arbitri Beqiri. Ekzekutimin e mori përsipër vetë sulmuesi i fierakëve, që gjuajti saktë dhe riktheu baraspeshën.

Korçarët e Ahmatajt provuan deri në fund të gjejnë golin e fitores, por nuk ia dolën dhe u detyruan të kënaqen me një pikë, rezultat që u shkon më përshtat fierakëve, që ngjiten kështu në vendin e 8 me 13 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat