Limani mirënjohës ‘Intelektualëve’: Besojmë deri në frymën e fundit dhe nuk do të dorëzohemi as në Holandë

Futboll

Limani mirënjohës ‘Intelektualëve’: Besojmë deri në frymën e fundit dhe nuk do të dorëzohemi as në Holandë

Nga: Kemajl Goca Më: 23 korrik 2021 Në ora: 15:49
Ardian Limani

 As laiku më i madh nuk e ka pritur një Dritë aq të fuqishme ndaj 15 herë kampionit të Holandës, Feyenordit nga Roterdami.

Futbollistët e Dritës nga Gjilani, treguan angazhim të pashoq në fushë dhe me një lojë brilante e amortizuan rivalin!

Kapiteni Ardian Limani, si gjithmonë në nivelin e lartë të detyrës, motivues për bashkëlojtarë, bllokuan me sukses sulmin e gjigandit holandez, duke nxjerrë rezultat baras (0:0), në ndeshjen e parë të rrethit të dytë të Conference League.      

Image

Një barazim që shkaktoi senzacion edhe në Kontinentin e Vjetër, po ashtu ka rritur edhe më shumë reputacionin e futbollit tonë.

Drita po dëshmon organizim e formë të lartë, e cila në rrethin e parë dy herë e mposhti skuadrën shqiptare nga Mali i Zi, Deçiqin e Tuzit, me 2:1 në Prishtinë dhe me 1:0 në Tuz, tani ndahet baras me skuadrën e famshme holandeze. 

Image

Drita nuk njeh humbje në tri takimet e para evropiane, dy fitore dhe një barazim.

Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, 3500 shikues, tifozët ‘Intelektualët’, i dhanë zemër djelmoshave të artë të Dritës.
Limani është i lumtur me rezultatin por me këmbë në tokë, duke shpresuar në më të mirën edhe në Roterdam.

“Bota sot”: Drita bëri lojë brilante, çfarë funksionoi dhe ku ishte arma më e fortë ndaj 15 herë kampionit të Holandës?

Ardian Limani: Ndaj kundërshtarëve të tillë duhet mbrojtje e fortë dhe shumë të vëmendshme nga të gjithë futbollistët dhe me pas të pritet rasti për kundërsulm. 

Mendoj që kemi bërë paraqitje të mirë sepse kemi qenë shumë kompakt dhe e kemi kufizuar kundërshtarin në vetëm dy raste te mira!

“Bota sot”: Në disa raste Drita ishte mjaft e rrezikshme, a mendoni se me pak fat mund të bëni mrekulli në Roterdam?

Ardian Limani: Të jem i sinqertë, mendoj që ndeshja në Roterdam do të jetë dyfish më e vështirë, sepse ata luajnë si vendas më mirë dhe do ta kenë përkrahjen e tifozëve, ashtu siç e patëm ne mbrëmë, por gjithashtu edhe ne do të jemi me të vëmendshëm sepse e dimë që do të na pret një ndeshje tepër e vështirë. 

Image

Në këtë rast mendoj që nuk duhet ‘pak’ , por ‘shumë’ fat që të kalojmë tutje!

Mirëpo ne besojmë deri në frymën e fundit dhe nuk do të dorëzohemi.

“Bota sot”: A e keni pritur një rezultat të tillë, a është një dëshmi që Drita dhe futbolli i Kosovës ka rritje të hatashme?

Ardian Limani: Po! Unë dhe e gjithë skuadra kemi patur besim që mund të shkaktojmë befasi në rezultat. 
Ne dhamë një shembull të mirë që futbolli kosovar ka ngritje në cilësi dhe në një të ardhme të afërt do të kemi rezultate edhe më të mira. 

“Bota sot”: Sa ishte emocionuese pas një kohe të luash para tifozëve ‘Intelektualë’ në stadiumin ‘Fadil Vokrri’?

Ardian Limani: Tifozët na kishin munguar shumë për një kohë të gjatë dhe ka qenë fantastike, që në një ndeshje të tillë të rikthehen në tribuna. 

Ata ishin forca jonë më e madhe mbrëmë dhe shpresojmë që t’i kemi gjithnjë e më shumë në tribuna!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat